Fisher: Shqiptarët dhe serbët, si francezët dhe gjermanët
Ish-ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Joshka Fisher, ka thënë se Ballkani e sidomos Ballkani Perëndimor është jashtëzakonisht i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në Evropë...

Sipas tij, anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE është interes gjeopolitik i Evropës.
Në ndërkohë, vendet e Ballkanit duhet të tejkalojnë armiqësitë dhe të fillojnë bashkëpunimin sipas përvojës me marrëdhëniet mes Francës dhe Gjermanisë.
Fisher, këto deklarata i bëri në një intervistë dhënë për “Dojçe Velen”, pas Forumit Ekonomik të Vjenës, i cili u zhvillua në Tiranë.
“Ballkani dhe sidomos Ballkani Perëndimor është jashtëzakonisht i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në Evropë. Kjo nuk është thjesht një ide, por një fakt. Nëse shikoni historinë, për t'iu larguar traditave të konfliktit dhe ecur drejt një mënyre të re bashkëpunimi, që konsiston në të qenit bashkë në rrugëtimin drejt BE, kjo është shumë e rëndësishme për gjithë Evropën”- thotë Fisher, duke shtuar se në këtë përpjekje të rajonit për të lënë pas të shkuarën e konfliktit, shkrirja e akujve në marrëdhëniet mes Beogradit dhe Tiranës po shihet si një tregues ”par excellence” për hapjen e një faqeje të re në marrëdhëniet mes vendeve fqinjë në Ballkanin Perëndimor.
Fischer u rekomandon shqiptarëve dhe serbëve që të shfrytëzojnë përvojën mes Gjermanisë me Francën, të cilat një kohë kanë qenë armike mes veti deri në kthesën historike për bashkëpunim dhe vënien e themeleve të Bashkimit Evropian.
“Prandaj, mendoj që bashkëpunimi është e vetmja përgjigje e arsyeshme që Beogradi dhe Tirana të ecin përpara dhe të forcojnë marrëdhëniet mes tyre. Mendoj që zhvillimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë është shumë i rëndësishëm për gjithë rajonin. Ka ndikim pozitiv për Kosovën dhe shumë pika të tjera të nxehta”- thekson Fisher në intervistën për “Dojçe Vele”.
Rol të rëndësishëm për tempon dhe fuqizimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkan ka vetë Evropa, e cila, sipas Fisher, duhet t'i japë një mbështetje të plotë dhe të fuqishme këtij bashkëpunimi, duke financuar projekte të rëndësishme strategjike.
Anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është një interes gjeopolitik e BE-së. “Ballkani Perëndimor është një rajon që i përket Evropës. Nëse evropianët nuk i kuptojnë interesat e tyre, kjo do të krijojë problem për të gjithë ne, jo vetëm për rajonin e Ballkanit”- thekson ish-ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Joshka Fisher.(Shpëtim Nuredini, TVM2)
