Maqedoni
Përplasje LSDM/VMRO-DPMNE, kush deshi të sjell migrantë?
13.12.2025 13:49
LSDM dhe VMRO DPMNE janë përplasur sot rreth asaj se kush deshi të sjell migrantë për para në Maqedoninë e Veriut...

LSDM dhe VMRO DPMNE janë përplasur sot rreth asaj se kush deshi të sjell migrantë për para në Maqedoninë e Veriut. LSDM pretendon se qeveria aktuale ka plan për sjelljen e migrantëve.
“Çështja e migrantëve është çështje shtetërore dhe për të duhet të vendosë Kuvendi, e jo komuna të veçanta apo këshilltarë të VMRO-DPMNE-së. Kryeministri Hristijan Mickoski shohim se prej ditësh refuzon të japë një përgjigje të thjeshtë, nëse do ta nënshkruajë Rezolutën me të cilën qytetarët do të jenë të sigurt se në Maqedoni nuk do të ketë migrantë për para. Në vend të përgjigjes, po shohim arsyetime, zvarritje dhe përpjekje që tema të zhvendoset në nivel lokal. Pse Mickoski po i ikën Kuvendit? Nëse nuk e din, Kuvendi është organi më i lartë i shtetit, i përbërë nga deputetë të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli. Prandaj Rezoluta është marrëveshje popullore. Me një vendim, në të gjithë territorin e Maqedonisë, çështja mund të mbyllet. Por VMRO-DPMNE shohim se refuzon. Për më tepër, deklaratat e Mickoskit dhe të funksionarëve të VMRO-DPMNE-së vetë e konfirmojnë planin për migrantë në Maqedoni. Edhe një herë, publikisht e ftojmë kryeministrin Mickoski: Nuk ka nevojë t’i përgjigjet LSDM-së le t’u përgjigjet qytetarëve: A do ta nënshkruajë Rezolutën? Po apo JO?”, u shpreh Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
VMRO pretendon se një qëllim të tillë e kishte qeveria e LSDM-së në vitin 2018.
“Para 4 vitesh, qeveria e Zaevit ishte ofruar të pranonte migrantë në Maqedoni, ndërsa sot ndjekësi i tij Filipçe është kundër migrantëve të supozuar në Maqedoni…Histeria, paniku dhe lajmet e rreme që i krijon LSDM-ja, rrëzohen si kulla prej letrash. Për fat të mirë të qytetarëve, VMRO-DPMNE edhe atëherë, edhe sot, edhe gjithmonë do të udhëheqë politikë kundër migrantëve. Tashmë dy ditë heshtje nga Filipçe dhe LSDM-ja për temën që nuk ekziston të migrantëve. Pasi ua zbuluam qëllimet e tyre të vërteta për sjelljen e migrantëve në Maqedoni, ata po ikin edhe nga gazetarët dhe po fshihen në Bihaçka. Në vend që të luajnë kukafshehti, le të përgjigjen se sa migrantë kanë qenë të gatshëm të pranojnë në Maqedoni? A janë kaq të zëshëm për këtë temë të paqenë vetëm sepse në vitin 2018 kanë qenë të gatshëm të sjellin mijëra migrantë në Shkup?”, u shpreh Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
