Botë

Berlin, negociata për paqe në Ukrainë, Zelenski skeptik ndaj propozimit të Trampit

13.12.2025 14:23

Negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë vazhdojnë në Gjermani...

Negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë vazhdojnë në Gjermani. I dërguari amerikan, Uitkof, zhvillon takime me presidentin Zelensky dhe liderët evropianë në Berlin. Ai prezanton versionin më të ri të planit amerikan të paqes, me synimin që të arrihet një marrëveshje deri në Krishtlindje. Presidenti Trump refuzoi të zbulojë detaje për dispozitën kyçe të propozimit, e cila parashikon krijimin e një zone të lirë ekonomike në Donbasin lindor, territor që Moska këmbëngul që Kievi ta dorëzojë.
 
“Nuk dua ta bëj këtë tani. Është një situatë shumë komplekse, por do të funksiononte. Dhe shumë njerëz duan të shohin që kjo të funksionojë. Gjithçka që dua është të ndaloj vdekjen e 25 mijë njerëzve në muaj.”, u shpreh presidenti i SHBA-së, Donald Taramp.
 
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shpreh skepticizëm ndaj propozimit më të fundit të Shtëpisë së Bardhë për zgjidhjen e çështjes territoriale. Para nisjes për në Berlin, ai vizitoi ushtarët ukrainas në vijën e frontit, duke theksuar se pozicionet e forta atje janë kyçe për suksesin në negociata.
 
“Sa më e fortë të jetë mbrojtja jonë në front, aq më të forta do të jenë pozicionet tona në negociata. Ukraina po bën gjithçka për ta përfunduar luftën me dinjitet dhe respekt , për ju dhe për gjithë shtetin tonë.”, u shpreh president i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Ndërkohë, BE, ka rënë dakord të ngrijë asetet ruse në vlerë prej 210 miliardë eurosh, me shpresën që në të ardhmen ato t’i jepen Ukrainës për mbrojtje dhe rindërtim. Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e përshëndeti vendimin.
 
“Po i dërgojmë një sinjal të fortë Rusisë se, për sa kohë që kjo luftë brutale agresioni vazhdon, kostot për Rusinë do të rriten. Kjo është një mesazh i fuqishëm për Ukrainën: duam të sigurohemi që fqinji ynë i guximshëm të bëhet edhe më i fortë, si në fushëbetejë ashtu edhe në tryezën e negociatave.”, u shpreh kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen.
 
Moska njoftoi se Brukseli do të mbajë përgjegjësi për këtë vendim. Çështja u hap edhe në takimin dypalësh Putin–Erdogan, në margjinat e forumit në Turkmenistan.
 
“Presidenti rus dha vlerësimin e tij tashmë të njohur për këtë çështje. Natyrisht, të dyja palët ranë dakord se veprime të tilla të pamenduara nga evropianët do të minonin në mënyrë efektive rendin monetar ndërkombëtar.”, u shpreh Dmitri Peskov, zëdhënës i Kremlinit.
 
Në hijen e përpjekjeve diplomatike, luftimet në front nuk kanë të ndalur. Rusia kreu sulme masive në jug të Ukrainës, duke goditur objekte civile dhe energjetike në Odesa. Ukraina u kundërpërgjigj me një sulm ndaj qytetit rus Saratov, ku humbën jetën dy persona.
 
FARIJE DAUTI BAKIU