Maqedoni
Protestë në Shkup, u kërkua liria e ish pjesëtarëve të UÇK-së nga Haga
13.12.2025 14:49
Liri për të gjithë pjesëtarët tjerë të UÇK-së të cilët po mbahen në Hagë...

Liri për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe të gjithë pjesëtarët tjerë të UÇK-së të cilët po mbahen në Hagë. Kjo ishte thirrja nga tubimi në Shkup, ku ishin mbledhur qytetarë të shumtë nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora për të përcjell mesazhin se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka qenë ushtri kriminale, por ka mbrojtur vendin dhe qytetarët e vet.
“Jam Gurbetçar prej 60 vitesh në Gurbet, këtë ditë të sotme e kam pritur me shumë kohë që të vjen një ditë dhe me i mbrojt këto djem që i kemi në Hagë. Ishim edhe në Hagë edhe atje kishim, sepse jam në Zvicër edhe atje kemi protestë të madhe.”, u shpreh një protestues.
“Ky mesazh gjithëkombëtar për pavarësinë e bashkëluftëtarëve tanë, shpresoj që sa më shpejtë të jenë me ne. Faleminderit shumë Skupit për mikpritje të jashtëzakonshme. Po shpresoj që është një mesazh i mirë që faktori shqiptar është i bashkuar rreth tyre dhe lirisë së Hashimit me Shokë.”, u shpreh Daut Haradinaj, ish pjesëtar i UÇK-së.
UÇK buron nga populli i cili me protestën e sotme po kërkon drejtësi deklaroi Hysni Gucati, nga OVL UÇK.
“Me këtë numër kaq të madh të vëllezërve dhe motrave që janë këtu sot dhe në të gjitha protestat e kaluara i tregojmë Trendafillovës se UÇK buron lind dhe Vepron nga populli. Atë populli e rriti, populli e mbrojti dhe populli është sot prapa tyre. Ne sot kërkojmë drejtësi, jo drejtësi politike, ajo gjykatë më shumë është drejtësi politike dhe i ngjanë gjykatave të ish Jugosllavisë dhe kujtesë e gjallë të sistemi të kaluar të Titos. Kjo gjykatë sot merret me fakte të falsifikuara.”, u shpreh Hysni Gucati, nga OVL UÇK.
Akuzat për shtëpinë e verdhë për transplantim organesh, apo akuzat për ndërmarrje të përbashkët kriminale, janë të pa bazë dhe kanë për synim të njollosin luftën çlirimtare deklaroi lideri i BDI-së Ali Ahmeti.
“Ky proces duhet të marr epilog të pafajësisë, sepse Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, dhe ushtarët që ndodhen pranë këtyre grilave akuzohen për vepra të pa bëra. E kemi përcjellur tërë procesin, mbase na dridheshte lëkura në shtat kur dëgjonim akuza që ne na i kishte bërë Beogradi dhe Moska si terrorist, kriminel e bandit. Ne e kemi dashur lirinë por jo duke ua mohuar lirinë popujve të tjerë. Ushtria jonë nuk ka qenë kundër asnjë populli, as popullit serb. Demonstrata e sotme nuk është kundër shtetit të Maqedonisë sepse mu këta që ndodhen në këtë gjykatë kanë kontribuar në stabilitetin, në paqen në ardhmërinë pikërisht të këtij shteti, sepse kanë qenë drejtues të institucioneve të rëndësishme president shteti, kryeministra, kryetar kuvendi dhe sigurisht me dhjetëra e qindra marrëveshje kanë hedhur firmat për një Maqedoni më të prosperuar.”, u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Protesta në Shkup u organizua pas asaj në Prishtinës, Tiranës dhe Hagës, me kërkesën për lirimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, pasi sipas organizatorëve të protestës ata padrejtësisht po gjykohen në Gjykatën Speciale në Hagë nën akuza të pa qena dhe të falsifikuara.
REXHEP QAMILI
