Botë

Dokumentari investigativ “Drejtësia e Kapur”, nxit protesta në Rumani për reforma në gjyqësor

13.12.2025 15:15

Mijëra qytetarë dolën në rrugët e Rumanisë për të protestuar kundër korrupsionit në sistemin gjyqësor....

Mijëra qytetarë dolën në rrugë në Bukuresht dhe qytete të tjera të Rumanisë për të protestuar kundër korrupsionit në sistemin gjyqësor, duke kërkuar reforma rrënjësore dhe dorëheqje të ministrit të drejtësisë, presidentit të Gjykatës Supreme dhe zyrtarëve të tjerë të lartë. Protestuesit me pankarta në duar dhe thirrje, shprehën pakënaqësinë për atë që e konsiderojnë një sistem të kapur dhe të manipuluar. Protestat shpërthyen pas publikimit të dokumentarit investigativ Recorder, me titull “Drejtësia e Kapur”, i cili nxori në dritë dëshmi tronditëse të gjyqtarëve dhe prokurorëve për presione të ushtruara nga zyrtarë të lartë dhe manipulime brenda sistemit ligjzbatues.
 
“Gjëja më e keqe është se sistemi që supozohet të sigurojë drejtësi dhe paanësi, kthehet dhe praktikisht arrin t'i shtrydhë gjyqtarët dhe prokurorët duke mos i lënë të pavarur. Nuk mendoj se mund të ndryshohet diçka pa presionin e protestave.”, Emilia Sercan, punonjëse në fakultetin e gazetarisë.
 
“Gjithë padrejtësia që po ndodh në vend, më motivoi të dal në rrugë.”, u shpreh një protestues.
 
“Ata në krye duhet ta kuptojnë se populli rumun ka arritur në një pikë ngopjeje. Jemi të ngopur me korrupsionin, gënjeshtra dhe me paaftësinë. Duam një shtet të vërtetë ligjor.”, u shpreh një protestuese.
 
“Pres si nga ata që udhëheqin, ashtu edhe ata që na gjykojnë, të respektojnë ligjin.”, u shpreh një protestues.
 
“Kur drejtësia vihet në rrezik, demokracia, shoqëria është në rrezik.”, u shpreh një protestues.
 
Kryeministri rumun Ilie Bolojan premtoi krijimin e një grupi qeveritar për të analizuar mangësitë ligjore, duke pranuar se mosbesimi publik ndaj institucioneve dhe drejtësisë është rritur për shkak të gjyqeve të zgjatura dhe vendimeve kontradiktore.
 
“Zgjatja e gjyqeve, afati i parashikuar ligjor për disa fakte, zgjidhjet kontradiktore të dhëna nga gjykata të ndryshme në raste të ndryshme, nuk mund të rrisin besimin e qytetarëve tanë. Dhe ajo që ka ndodhur këto ditë nuk mund të kontribuojë gjithashtu në rritjen e besimit.”, u shpreh kryeministri i Rumanisë, Ilie Bolojan.
 
Dokumentari i Recorder ka grumbulluar miliona shikime, duke nxitur debat dhe pakënaqësi publike.
 
FARIJE DAUTI BAKI