Maqedoni
VMRO-DPMNE akuza Spasovskit për kontrollin teknik në Saraj, Spasovski: Akuzat e VMRO-së të pa baza
13.12.2025 16:37
VMRO-DPMNE ka vazhduar akuzat kundër ish - ministrit të brendshëm Oliver Spasovski...

VMRO-DPMNE ka vazhduar akuzat kundër ish - ministrit të brendshëm, Oliver Spasovski, duke thënë se ai tre muaj me rradhë ka heshtur dhe nuk i ka hequr autorizimin e kompanisë për kontroll teknik nga Saraji, duke i mundësuar kompanisë të fitojë mbi 90 mijë euro. VMRO-DPMNE thotë se Spasovski ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, dhe dyshon se Spasovski, duke mbajtur në sirtar vendimin për mbylljen e stacionit ndoshta është “shpërblerë” financiarisht. Andaj VMRO-DPMNE i kërkon LSDM-së urgjentisht të distancohet nga Spasovski nëse dëshiron të mbetet në skenën politike.
“Spasovski, si ministër i Punëve të Brendshme, kishte pranuar një raport zyrtar ku ishin të konstatuara disa parregullsi, por ai heshti dhe nuk ia hoqi autorizimin, me çrast në mënyrë të drejtpërdrejt e ka keqpërdorur pozitën zyrtare. Përndryshe, në të njëjtin qendër teknike kishte kaluar kontrollin teknik edhe autobusi i “Besa Trans”, i cili u përfshi nga zjarri në Bullgari dhe ku humbën jetën 45 bashkëqytetarë tanë. Sikur Spasovski të kishte reaguar me kohë, tragjedia ndoshta do të parandaloheshte.”, u shpreh Vallentin Manevski nga VMRO-DPMNE.
Ditë më pare MPB njoftoi se, ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Publike të Shkupit, ndaj ish Ministrit të brendshëm Spasovski se gjatë vitit 2021, ka keqpërdorur detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar dhe i ka mundësuar një kompanie për inspektim teknik në Saraj të Shkupit të përfitojë dobi të paligjshme pasurore në vlerë prej 5.5 milionë denarësh. Por Ish-ministri i Brendshëm dhe koordinatori aktual i grupit parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski, i ka hedhur poshtë plotësisht akuzat, duke theksuar se nuk është i befasuar nga metodat e tilla.
“Sa herë që publiku duhet të shpërqendrohet nga skandalet e vërteta të qeverisë. VMRO-DPMNE ikën dhe dëshiron të largojë vëmendjen nga temat e rëndësishme, tragjedia në Koçan, emigrantët, krimet dhe gjendja e keqe ekonomike. Që gjithçka të jetë e qartë, kjo është një përpjekje klasike për persekutim politik, për të larguar temën nga emigrantët dhe skandalet e qeverisë.”, thekson në reagimin e tij Deputeti Spasovski.
REXHEP QAMILI
