Të martën në Maqedoni arrin eurokomisari Han, të martën mbahet edhe takimi i liderëve

29.05.2015 16:27

Takimi i liderëve të katër partive më të mëdha në vend, i paralajmëruar për të hënën, është shtyrë për të martën, kur pritet të arrijë në vend edhe komisionari evropian për zgjerim dhe fqinjësi, Johanes Han...

Vizitën e komisarit, Johanes Han, e ka konfirmuar edhe zëdhënësja, Maja Kocijançiç.

“Komisari do ta vizitojë Maqedoninë më 2 qershor. Ai para partive politike do ta potencojë nevojën për gjetjen e një zgjidhjeje për tejkalimin e krizës sa më shpejtë. Po ashtu, do të theksohet nevoja e gjetjes së zgjidhjes për disa sfida me të cilat përballet vendi”- ka thënë Kocijançiç.

Takimi i së martës do të zhvillohet në rezidencën e ambasadorit të BE-së në Shkup, ku sipas të gjitha gjasave do të marrin pjesë katër liderët, Gruevski, Ahmeti, Zaev dhe Thaçi.

Eurokomisionari të martën nuk do të shoqërohet nga tre eurodeputetët, Vajgël, Kukan dhe Hovit të cilët ishin pjesë e bisedimeve në Strasburg, pasi me gjasë dëshiron të marrë vet në dorë intensifikimin e dialogut për arritjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë për dalje nga kriza politike në Maqedoni.  (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)