Alojzo Peterle interesohet për krizën politike dhe Kumanovën
Parlamenti Evropian do të vazhdojë të bashkëpunojë me Parlamentin e Maqedonisë përmes formave të caktuara ligjore...

Kështu ka deklaruar kryesuesi i Komisionit të përbashkët Parlamentar të Parlamentit Evropian dhe Parlamentit të Maqedonisë, Alojzo Peterle. Në deklaratën e tij përpara anëtarëve të Komisionit të Përzier Parlamentar, Peterle ka thënë se komisioni i përbashkët midis PE-së dhe Maqedonisë që kur është themeluar ka pasur bashkëpunim të konsiderueshëm, si dhe është i hapur për bashkëpunim të mëtutjeshëm në sferën e harmonizimin të ligjeve të vendit me ligjet dhe direktivat e BE-së.
“Legjislacioni do të jetë edhe më tej arena e rëndësishme e punës tonë, por edhe mundësitë tjera që mund t’i shfrytëzojmë në parlament do t’i shfrytëzojmë, grupe të punës apo grupe të tjera të ndryshme, për të harmonizuar ligjet e vendit me BE-në”- deklaroi kryesuesi i Komisionit të Përzier PE-Maqedoni, Alojzo Peterle.
Peterle ka realizuar takim edhe me përfaqësues të partive politike në vend. Me kryeministrin Gruevski, sipas informacioneve qeveritare, kanë biseduar për proceset integruese të Maqedonisë, reformat që po realizohen në disa sfera të shoqërisë dhe plotësimin e masave në pajtueshmëri me planin për përparim dhe anëtarësimin e shtetit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Ndërkaq, LSDM-ja i ka paraqitur qëndrimet e saj lidhur me situatën politike.
“Peterle u interesua për krizën serioze në të cilën është thelluar Maqedonia si dhe mundësinë për tejkalimin e krizës. Nga ana jonë e informuan për problemet politike me të cilat aktualisht ballafaqohet Maqedonia, për rastin e Kumanovës, tashmë edhe për situatën e sigurisë dhe për propozimet tona për tejkalimin e krizës”- tha Radmilla Sheqerinska nga LSDM.
Kriza aktuale politike, dialogu politik dhe perspektiva euroatlantike e vendit ka qenë temë e bisedimeve edhe në takim me kryetarin e BDI–së, Ali Ahmetin. Peterle gjatë takimit ka siguruar liderin Ahmeti për inkurajimin e Bashkimit Evropian për ta tejkaluar krizën politike në Maqedoni dhe gatishmërinë e institucioneve të Brukselit për ta ndihmuar zgjidhjen.
Nga ana tjetër, lideri i BDI-së, Ahmeti, ka njoftuar ish kryeministrin e Sllovenisë mbi përpjekjet e Bashkimit Demokratik për Integrim për të iniciuar dialog politik midis liderëve të katër partive më të mëdha në vend, si dhe mbi qëndrimet konkrete të BDI-së në takimet e liderëve për dalje nga kriza. Bashkimi Demokratik për Integrim konsideron që çdo krizë është edhe një dritare e re e mundësisë dhe nëse nuk mungon përkushtimi i Brukselit dhe Uashingtonit, atëherë nga kjo krizë do të dalim edhe më të fortë dhe me drejtim shumë të qartë euroatlantik, ka thënë Ahmeti në takim me eurodeputetin, Peterle.
Peterle është takuar edhe me kryetarin e PDSh-së, Menduh Thaçin. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)
