Maqedoni

Kuvendi: Individët s’mund të iniciojnë heqjen e imunitetit

14.12.2025 13:44

Kuvendi nuk mundet me vetë iniciativë të nis procedurë për heqjen e imunitetit të deputetit...

Kuvendi nuk mundet me vetë iniciativë të nis procedurë për heqjen e imunitetit të deputetit, e as nuk mund ta bëjë këtë mbi bazën e kërkesave nga individë, organizata apo media. Kjo është përgjigja e kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, ndaj letrës së dërguar nga prindërit e vajzës 13-vjeçare me iniciale A. T., e cila u lëndua rëndë në aksidentin e trafikut ku ishte i përfshirë deputeti Sashko Jançev nga partia E Majta. 
 
“Sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, procedura për heqjen e imunitetit mund të iniciohet ekskluzivisht vetëm mbi bazën e një kërkese zyrtare të paraqitur nga një organ shtetëror kompetent. Kjo vlen për rastet kur kërkohet nisja e procedurës penale, caktimi i masës së paraburgimit ose ekzekutimi i dënimit me burg ndaj një deputeti. Edhe pse nuk mund ta iniciojë procedurën, kryeparlamentari Gashi, në përputhje me parimet e transparencës dhe informimit të plotë, e ka përcjellë kërkesën e prindërve te Komisioni për Çështje të Rregullores Mandatit dhe Imunitetit, si dhe te vetë deputeti Sashko Jançev”, bëjnë të ditur nga kabinieti i Gashit. 
 
Aksidenti ka ndodhur më 14 shtator 2025 në fshatin Marino, Komuna e Ilindenit, ku ishte i përfshirë deputeti Jançev, me çrast u lënduan 16-vjeçari M. D., I cili edhe ndërroi jetë më 9 tetor, ndërsa 13-vjeçarja A. T mbeti e lënduar. Prindërit e 13 vjeçares së lënduar para dy ditësh i dërguan një letër Kuvendit duke kërkuar heqjen e imunitetit të deputetit Jançev, pasi shprehin shqetësim serioz për ndikim të mundshëm në procesin gjyqësor, sepse ende nuk është ngritur aktakuza për këtë ngjarje tragjike. Ata shprehin dyshime se deputeti mund ta keqpërdorë funksionin e tij dhe të thirret në imunitetin parlamentar, me çrast, siç theksojnë, “do të shmangte masa të mundshme për sigurimin e pranisë ose masa të tjera që do t’i caktonin organet kompetente”. 
 
Pas aksidentit, deputetit iu sekuestruan pasaporta dhe patent shoferi. Nga partia E Majta kanë deklaruar se gjatë aksidentit deputeti i tyre nuk ka qenë nën ndikimin e alkoolit, ndërsa mopedi ka qenë i paregjistruar, teknikisht i parregullt dhe i drejtuar nga një i mitur pa leje drejtimi dhe pa helmetë, i cili është përplasur me automjetin që e drejtonte deputeti.