Maqedoni

Pushteti dhe opozita përplasen për migrantët, VMRO-DPMNE, rezolutë kundër migrimit të paligjshëm

14.12.2025 14:05

VMRO-DPMNE do t’i dorëzojë Kuvendit një propozim-rezolutë për dënimin e manipulimeve të opozitës...

VMRO-DPMNE do t’i dorëzojë Kuvendit një propozim-rezolutë për dënimin e manipulimeve të opozitës dhe për konfirmimin e politikave shtetërore kundër migrimit të paligjshëm. Me këtë rezolutë, partia në pushtet pretendon dhe synon të parandalojë dezinformatat e opozitës maqedonase, e cila kohëve të fundit po spekulon lidhur me marrëveshjen e nënshkruar me Britaninë e Madhe, duke përhapur lajme të rreme se gjoja do të strehohen migrantë në vendin tonë, thonë nga VMRO-DPMNE.
 
“Rezoluta përbëhet nga 9 pika dhe në të thuhet se dënohen dezinformatat për gjoja pranimin e migrantëve dhe ndërtimin e kampeve, konfirmohet se politika të tilla nuk ekzistojnë dhe as që do të ekzistojnë. Shfuqizohen të gjitha marrëveshjet e mëhershme të qeverisë së Zaevit që lidhen me kampet e migrantëve, si dhe bëhet thirrje për një diskurs të përgjegjshëm dhe të qartë, si dhe për mbrojtjen e sigurisë, stabilitetit dhe marrëdhënieve ndëretnike. Po ashtu, konstatohet se përhapja e vetëdijshme dhe të qëllimshme të dezinformatave do të sanksionohet në përputhje me ligjet në fuqi. Kjo rezolutë do të vendos një politikë të qartë shtetërore kundër migrimit të paligjshëm dhe hyn në fuqi menjëherë pas miratimit të saj.”, u shpreh Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE
 
LSDM: Rezoluta mashtrim dhe tradhti kombëtare 
 
Por socialdemokratët nuk i besojnë VMRO-DPMNE-së. Ata shprehen të bindur se VMRO-DPMNE ka qenë pjesë e agjendave dhe marrëveshjeve të fshehta për pranimin e migrantëve, sepse, sipas tyre, po të ishin të sinqertë në atë që po thonë, një rezolutë e tillë do të ishte nënshkruar më herët nga VMRO-DPMNE-ja. Andaj dyshimet e tyre, po i cilësojnë si tradhti kombëtare për para nga ana e VMRO-DPMNE-së. 
 
“Për këtë çështje ka marrëveshje. Po të mos kishte agjenda të fshehta dhe pazare nën tavolinë, rezoluta do të ishte nënshkruar prej kohësh. Sot po e zbulojmë planin djallëzor të VMRO-DPMNE-së – një tradhti kombëtare për para. Në buxhetin tonë nuk ka para. Për herë të parë në historinë e këtij vendi, nesër, më 15.12, po mbyllet thesari i shtetit, ndërkohë që institucionet po vonojnë shlyerjen e të gjitha pagesave. Nuk ka para për paga, pensione, ndihmë sociale, për pushime të lehonisë, e as për kthimin e TVSH-së. Boshllëku në buxhet është së paku 1 miliard euro. Por pushteti nuk kujdeset për qytetarët, përkundrazi kujdeset vetëm për veten: për bizneset me tenderë të kurdisur, për krimin, dhe për këtë arsye u duhen para të freskëta në kesh. Prandaj po e shesin Maqedoninë. Prandaj kanë pranuar migrantë si pjesë e një pakete me kredi prej 6 miliardë eurosh.”, u shpreh Aleksandar Sasha Dimitrijeviq nga LSDM.
 
VMRO-DPMNE u bëri thirrje të gjitha partive politike që ta mbështesin bashkërisht këtë rezolutë në Kuvend, për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë dezinformatave të tilla.
 
REXHEP QAMILI