Maqedoni
Liberalët konferencë në Shkup, u diskutua për atë se ku po shkon Evropa?
14.12.2025 14:31
Partitë liberale në Evropë kanë miratuar manifestë për zgjerimin e BE-së...

Partitë liberale në Evropë kanë miratuar manifestë për zgjerimin e BE-së, në të cilin angazhohen që deri në vitin 2029 vendet e Ballkanit perëndimorë të bëhen anëtare të BE-së. Kështu deklaroi kryetarja e partisë Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropë, Svenja Han, e cila po merr pjesë në konferencën me temë “Ku po shkon Evropa?”, të organizuar nga Partia Liberal Demokrate e Maqedonisë, në bashkëpunim me Aleancën e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropë dhe Parlamentin Evropian.
“Ne jemi udhëheqës në këtë agjendë, si parti Liberale në Parlamentin Evropian, së bashku me euro komisionaren për zgjerim Marta Kos, e udhëheqim këtë proces. Kemi manifest për zgjerim nga partitë liberale në Evropë që e publikuam natën e zgjedhjeve në vitin 2024. Angazhimi ynë në atë manifest është që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimorë deri në vitin 2029 të bëhen anëtare të BE-së dhe në esencë politikanët evropian këtë angazhim e kanë marr nga ne.”, u shpreh kryetarja e partisë Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropë, Svenja Han.
Në konferencë liberal demokratët nga Maqedonia e Veriut e kanë ngritur çështjen e sjelljes së vendimeve në BE me shumicë të kualifikuar, për të shmangur veton e një vendi për vendime të rëndësishme siç është edhe çështja e zgjerimit.
“Kongresi në Alda ka hapur tema shumë të rëndësishme, si Evropën ta bëjmë përsëri forcë globale dhe si të mos lejohet më tej që vendimi i një vendi të ndikojë në vendimet e 26 vendeve anëtare.”, u shpreh kryetarja e PLD-së, Monika Zjakova.
Zajkova thotë se nga një vendim i tillë do të përfitonte jo vetëm Maqedonia, por edhe vet BE-ja pasi do të shmangej edhe bllokimi i vendimeve të rëndësishme për BE-në në procesin e mbrojtjes apo ekonomisë, apo edhe çështja e Ukrainës dhe Hungarisë. Edhe kryetarja e partisë Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropë, Svenja Han, thotë se ndryshimi i sjelljes së vendimeve brenda BE-së është i mundur, por edhe për këtë duhet konsensus mes vendeve anëtare.
Maqedonia e Veriut e ka zgjedhur rrugën evropiane si qëllim strategjik deklaroi në konferencë kryeparlamentari Afrim Gashi, i cili njëherit theksoi se çështjet bilaterale nuk duhet ta pengojnë rrugën tonë drejt BE-së.
“Raporti i progresit i BE-së për vendin tonë e konfirmon orientimin tonë strategjik, duke i theksuar qartë edhe sfidat me të cilat përballemi. Këtu dua të theksoj se asnjë çështje bilaterale nuk duhet ta kontestojë rrugën tonë drejt Evropës. Përparimi i rajonit tonë është dëshmi se politika e zgjerimit është aktive dhe serioze.”, u shpreh kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Konferenca “Ku po shkon Evropa”, mbahet për herë të pestë në Shkup, nën organizimin e Rrjetit Liberal të Evropës Juglindore, me mbështetjen e Parlamentit Evropian.
NAIM SINANI
