Maqedoni

Toshkovski: Më 1 shkurt nis zbatimi i “Safe City”

14.12.2025 15:06

Periudha e testimit të sistemit “Safe City” po tregon rezultate të shkëlqyera....

Periudha e testimit të sistemit “Safe City” po tregon rezultate të shkëlqyera. Qytetarët nga dita në ditë po përmirësojnë sjelljen në rrugë, duke respektuar rregullat e komunikacionit. Ky është vlerësimi i ministrit të Brendshëm, Pançe Toshkovski, lidhur me testimin e sistemit Qyteti i Sigurt. Toshkovski shprehet i kënaqur që edhe gjatë periudhës testuese, sistemi ka ndikuar dukshëm në ndryshimin e sjelljes së drejtuesve të automjeteve në komunikacion. Ai thotë se është ulur dukshëm numri i shkeljeve të rregullave të trafikut dhe i aksidenteve në kryeqytet. Për shkak të miratimit të disa ligjeve dhe përditësimit të sistemit me të dhëna të sakta, zbatimi i plotë i këtij sistemi, duke përfshirë edhe shqiptimin e gjobave për shkeljet e trafikut përmes tij, do të fillojë më 1 shkurt, në vend të 1 janarit 2026, tha Toshkovski.
 
“Morëm vendim që gjatë kësaj periudhe testuese, deri më 1 shkurt, të kalojmë të gjitha ligjet që lidhen me zbatimin thelbësor të këtij sistemi në Kuvend. Njëherit do të duhet të nivelizojmë dhe të zgjidhim të gjitha problemet teknike që na u paraqitën gjatë kësaj periudhe testuese. Jam i sigurt se nëse vazhdojmë kështu, më 1 shkurt do të kemi një sistem funksional, i cili do të përmirësojë të dhënat e buletinit ditor të MPB-së dhe, respektivisht, do të përmirësojë të dhënat lidhur me numrin e jetëve të shpëtuara në komunikacion. Ky është thelbi i zbatimit të këtij sistemi.”, u shpreh ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
 
Toshkovski: Do të ketë pak tolerancë shpejtësie
 
Përveç kësaj Toshkovski thotë se parashihet se do të ketë një tolerancë në shpejtësi, por kjo tolerancë do të vlejë vetëm për shkeljet e trafikut, por jo edhe për përgjegjësinë penale.  
 
“Në shumicën e vendeve evropiane ekziston një prag tolerancë dhe po ashtu do të ketë edhe tek ne, megjithëse do të shihet se sa do të jetë ky prag. Ai do të zbatohet për detektimin e shkeljeve nga sistemi “Safe City” si një sistem sigurie. Por, çfarë është shumë e rëndësishme të kuptojmë, nëse ekziston një ndalim për drejtimin e mjeteve prej 50 km/orë, çdo shkelje mbi këtë kufi e lejuar, veçanërisht në rast të kryerjes së një vepre penale dhe në rast fatkeqësisht të lëndimit të një këmbësori ose drejtuesi tjetër, do të çojë në procedura përkatëse që do të përcaktojnë gjendjen faktike dhe përgjegjësinë penale. Pra, toleranca lidhet vetëm me detektimin e shkeljeve të trafikut, por jo dhe përgjegjësinë penale.”, u shpreh Toshkovski.
 
Toshkovski duke u thirrur në disa statistika botërore, tha se kur vetura lëviz me shpejtësitë prej 60 kilometra në orë, shanset për të mbijetuar një person i aksidentuar janë minimale, pra nga 10 persona mesatarisht mund të mbijetojnë vetëm dy, ndërkohë me ngasja e veturës me 30 kilometra në orë, në raste të tilla mund të mbijetojnë 8 persona të aksidentuar në trafik, andaj qëllimi i sistemit është rritja e sigurisë dhe ulja e aksidenteve të rënda. Këto Toshkovski i tha gjatë prezantimit të stacionit policor të rikonstruar në Butel të Shkupit.
 
REXHEP QAMILI