Kulturë
Kërçovë u mbajt festivali i teatrove “Uskana Fest” 2025
14.12.2025 16:52
Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Kërçovës, në Qendrën për Kulturë në Kërçovë, u mbajt festivali i teatrove “Uskana Fest”...

Edicioni i 5-të me radhë i festivalit “Uskana Fest”, në skenën e Pallatit të Kulturës në Kërçovë solli pesë shfaqje të bukura teatrale, me interpretime të shkëlqyeshme artistike, të cilat u duartrokitën fuqishëm nga dashamirët e artit dramatik në Kërçovë.
Në kuadër të festivalit të sivjetshëm Uskana Fest u prezantuan pesë projekte dramatike të cilat u mirëpritën nga dashamirët e artit në Kërçovë: shfaqja e teatrit të Tetovës “Në përballje me vdekjen”, shafaqja e teatrit të Shkupit “Të rresh apo të mos rresh”, projekti dramatik i teatrit të Kumanovës “Lojërat e harruara”, projekti i qytetit të Kërçovës “Zoti Kolpert”, ndërsa në mbrëmjen e fundit u prezentua shfaqja “Cilindri” nga teatri i Gostivarit.
Në fund juria e festivalit e kryesuar nga Argjent Asani, çmimin “Shfaqja më e mirë”, ia ndau Teatrit të Tetovës për shfaqjen “Në përballje me vdekjen”, të autorit August Strindberg, në regji të Afërdita Nuhiut.
Në përmbyllje të Festivalit drejtori Adem Karaga u shprehu mirënjohje të gjithë atyre që kontribuuan në realizimin e këtij manifestimi tradicional, i cili u mbështet nga Ministria e Kulturës dhe komuna e Kërçovës.
SHABAN DALIPI
