Botë

Dita e dytë e negociatave ShBA – Ukrainë, Zelenski heq dorë nga anëtarësimi në NATO

15.12.2025 11:55

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski dhe të dërguar amerikanë kanë zhvilluar negociata më shumë se pesë orë në Berlin...

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski dhe të dërguar amerikanë kanë zhvilluar negociata më shumë se pesë orë në Berlin, pa sinjale për ndonjë rezultat potencial, duke thënë vetëm se bisedimet do të vazhdojnë edhe më tej.

Zelenski planifikohet të takohet edhe me zyrtarë të lartë evropianë – liderët e Gjermanisë, Britanisë dhe Francës. Negociatat e Zelenskit me zyrtarët amerikanë dhe ata evropianë synojnë ndaljen e luftës së Rusisë në Ukrainë, që ka nisur pothuajse katër vjet më parë. Ky është konflikti më i përgjakshëm në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.
 
Para nisjes së takimeve, Zelenski ka sugjeruar se Ukraina do të heqë dorë nga aspiratat për t’u anëtarësuar në NATO, në këmbim të garancive perëndimore të sigurisë.
 
“Disa partnerë prej Shteteve të Bashkuara dhe Evropës nuk e përkrahin këtë drejtim. Prandaj, garancitë bilaterale të sigurisë mes Ukrainës dhe ShBA-së, garanci të stilit të Artikullit 5 dhe garancitë e sigurisë nga kolegët evropianë, si dhe nga shtetet tjera – Kanadaja dhe Japonia – janë mundësi për të parandaluar një tjetër pushtim rus.”, ka thënë ai. “Ky është tashmë kompromis nga ana jonë.”, ka thënë ai, duke shtuar se çdo garanci e sigurisë duhet të jetë ligjërisht e detyrueshme.