Maqedoni
Kuvend, nesër, propozimi për shkarkimin e Kocevskit, po rrumbullakohet agjenda reformuese
15.12.2025 14:04
Kryeprokurori Ljupço Kocevski, të martën, para shkarkimit në Kuvend...

Kryeprokurori Ljupço Kocevski, të martën, para shkarkimit në Kuvend. Iniciativa për ndërrimin e tij do të vijë si pikë shtesë e rendit të ditës, ka njoftuar në një takim me gazetarët kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi. Kuvendi do ta njoftojë Kocevskin për pjesëmarrje në procedurën e shkarkimit, ndërkaq prokurori i ri do të zgjidhet sipas afateve të parapara me ligj.
“Pas konsultimeve shtesë, pritet që nesër ta vendosim në rend dite shkarkimin e Koceskit dhe procedura të përmbyllet nesër. Kryeprokurori gjatë ditës do të njoftohet me shkrim për seancën, që të jetë në gjendje nesër të mbajë fjalim para deputetëve. Për ne si shtet është me rëndësi që përzgjedhja e kryeprokurorit të ri të përmbyllet sa më herët.”, është shprehur kryeparlamentari, Afrim Gashi.
Deri në fund të vitit, Kuvendi parashikon të mbajë katër seanca plenare. Dita e nesërme do të jetë e ngjeshur edhe me pika të tjera që nënkuptojnë rrumbullakimin e agjendës reformuese sikurse ndryshimet në Këshillin Gjyqësor, si dhe harmonizimi i ligjit rrugë shtetërore me dispozitat e BE-së. Në vijim pritet të miratohen ndryshimet edhe për sigurinë në trafik me përfshirjen e projektit “Qyteti i Sigurt”, si dhe ndryshimet në kodin penal. Kuvendi më 24 dhjetor duhet t’i japë dritë jeshile propozimeve qeveritare për ministrat e ri Bekim Sali në Ministrinë për Çështje Evropiane dhe Muhamet Hoxha në Ministrinë e Ekologjisë. Në po të njëjtën seancë, paraprakisht do të shkarkohet nga detyra ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani.
Më 23 dhjetor presidentja e shtetit do të mbajë fjalimin e saj vjetor. Ndërkohë 25 dhjetori është rezervuar për pyetje deputetësh. Kuvendi për një javë do të formojë grupin e punës për ndryshimet në kodin zgjedhor, në përbërje të të cilit do të jenë nga dy përfaqësues të çdo grupi parlamentar. Punimet do të nisin pasi të merret materiali qeveritar për ndryshimet e ardhshme.
MERAL ISMAILI
