Maqedoni

Ndotja e ajrit, Mustafa: Rrezik serioz për sistemin respirator

15.12.2025 14:33

Mjekët bëjnë thirrje për kujdes të shtuar, sidomos te personat me sëmundje kronike...

Stina e dimrit, e shoqëruar me rritje të ndotjes së ajrit, ulje të temperaturave dhe shtim të viruseve, ndikon ndjeshëm në shëndetin e përgjithshëm të qytetarëve, veçanërisht në shëndetin e organeve respiratore. Mjekët bëjnë thirrje për kujdes të shtuar, sidomos te personat me sëmundje kronike, të cilët duhet të monitorojnë simptomat dhe në rast përkeqësimi të drejtohen fillimisht te mjeku amë.
 
“Prania e grimcave në ambiente si rezultat i ndotjes së ajrit edhe ajo ndikon në një farë mënyre në dëmtimin e rrugëve respiratore dhe kjo për fat të keq e godet gjithë popullatën, mirëpo më të rrezikuar janë personat të cilët janë me sëmundje kronike të mushkërive, siç janë pacientët me sëmundjen e astmës, më sëmundje pulmonare obstruktive kronike, bronkitet kronike, patjetër që edhe fëmijët që janë pak më delikatë, mirëpo nuk përjashtohet edhe popullata në përgjithësi, tek të cilët si rezultat i këtyre grimcave mund të fillojnë proces, të cilat në fillim janë të padukshme, ndërsa me kalimin e kohës mund të jenë serioze.”, - deklaroi pulmologia, Rabije Mustafa.
 
Ndotja e ajrit mund të sjellë pasoja afatgjate pa përjashtuar edhe kancerin e mushkërive. Sipas mjekëve, pasojat e ndotjes së ajrit mund të shfaqen si afatshkurta, ashtu edhe afatgjata.
 
“Pasojat afatshkurtra mund të jenë një kollë apo ndonjë vështirësi në frymëmarrje, mirëpo si pasojë afatgjate, siç thash edhe më lart, mund të ndodhë deri në paraqitjen e astmës. Kemi raste kur sëmundja e astmës është e fshehur dhe mund të mos paraqitet nëse nuk është ajri i ndotur nga jashtë. Në qoftë se mbivendoset faktori i jashtëm, atëherë ajo del në pah. Prandaj është shumë e nevojshme kjo. Pasojat mund të jenë të ndryshme, mund të kemi vetëm rritje të kancerit, që nuk është vetëm si rezultat i pirjes së duhanit, mirëpo edhe si rezultat i pranisë së ndotjes së ajrit në ambientin e jashtëm.”, - theksoi pulmologia, Rabije Mustafa. 
 
Pulmologia Mustafa thekson se grupet më të ndjeshme mbeten fëmijët dhe gratë shtatzëna. Ajo rekomandon që gjatë ditëve me ndotje të lartë të ajrit të shmanget dalja në ambiente të hapura dhe frekuentimi i hapësirave me dendësi të madhe njerëzish. Po ashtu, theksohet rëndësia e vitaminës D, e cila shpesh mungon gjatë dimrit, si faktor kyç për forcimin e imunitetit në të gjitha grupmoshat. Konsumimi i rregullt i pemëve dhe perimeve të pasura me vitamina, veçanërisht vitaminën C, mbetet një masë shtesë për mbrojtjen e shëndetit gjatë sezonit dimëror. 
 
FLORIJE KAMBERI