Botë

Australi, sulm me armë zjarri gjatë festës hebraike

15.12.2025 14:47

Australia është në zi pas sulmit terrorist në Sidnej, ku bilanci i viktimave është rritur në 16 të vdekur...

Australia është në zi pas sulmit terrorist në Sidnej, ku bilanci i viktimave është rritur në 16 të vdekur, derisa dhjetëra persona janë plagosur. Sipas hetimeve të deritanishme, sulmuesit e dyshuar, babë e bir, kanë qenë të lidhur me ISIS-in.  Viktimat janë të moshës nga 10 deri në 87 vjeç. 
 
“Ky ishte një sulm i drejtuar qëllimisht kundër komunitetit hebraik në ditën e parë të Hanukës, e cila duhet të jetë një festë e gëzueshme. Do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të çrrënjosur antisemitizmin. Australia kurrë nuk do t’i nënshtrohet përçarjeve, dhunës apo urrejtjes dhe do ta kalojmë këtë së bashku. Refuzojmë t’u lejojmë të na përçajnë si komb.”, - deklaroi kryeministri i Australisë, Antoni Albaneze. 
 
“E dimë se një numër i madh njerëzish janë gjallë tani falë veprimeve të kalimtarëve të pafajshëm dhe i falënderoj për guximin dhe ndihmën e tyre. Hetimi ynë në kuadër të operacionit po vazhdon. Aktualisht kemi një burrë 24-vjeçar në spital. Në bazë të gjendjes së tij mjekësore, ka gjasa që ai të përballet me akuza penale.”, - theksoi komisionari i Policisë së Uellsit të Ri Jugor, Mal Lanion. 
 
Kryeministri izraelit Netanjahu ka thënë se mbështetja e autoriteteve australiane për shtetin e Palestinës ka nxitur antisemitizmin. 
 
“Ata masakruan hebrenjtë në Sidnej, Australi. Para katër muajsh i shkrova një letër kryeministrit të Australisë. I thashë: politika juaj inkurajon terrorizmin. Ajo inkurajon antisemitizmin. Ju bëni thirrje për një shtet palestinez dhe në thelb i jepni një shpërblim Hamasit për masakrën e tmerrshme që kryen kundër nesh më 7 tetor.”, - u shpreh kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu. 
 
Babai 50-vjeçar, Sajid Akram, i cili u vra në vendin e ngjarjes gjatë një përleshjeje me policinë, ishte pronar i regjistruar i gjashtë armëve të zjarrit. Djali, 24-vjeçar, Navid Akram, është i shtruar në spital me lëndime serioze. Të dy kishin leje për armë për gjueti rekreative që nga viti 2015. Pas bastisjeve në pronat e tyre u gjetën mjete shpërthyese të improvizuara dhe flamuj të Shtetit Islamik. Në momentin e sulmit, në plazh ndodheshin rreth 1.000 persona. Australia do t’i ashpërsojë ligjet për armët me kufizim të numrit të armëve që mund të posedojë një person, kufizim të licencave dhe ndalim të armëve për personat që nuk janë shtetas. Bota ka dënuar sulmin, ndërsa qytetet e mëdha botërore, Berlini, Londra, Nju Jorku dhe Varshava, kanë forcuar masat e sigurisë.
 
GYLTENE SINANI