Ekonomi
Forcimi i kapacitetit institucional në financa, përforcohet bashkëpunimi me ShBA-në
15.12.2025 15:21
Vendi po përforcon bashkëpunimin me SHBA-të në fushën e financave....

Ministria e Financave me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes Thesarit të ShBA-së dhe Zyrës së Ndihmës Teknike – OTA, po punon për të forcuar kapacitetet dhe për të ndërtuar një sistem modern dhe të fortë të financave publike. Aktivitetet e zbatuara dhe të planifikuara u prezantuan në një aktivitet me temën “Forcimi i Kapacitetit Institucional: Festimi i Bashkëpunimit midis Shteteve të Bashkuara dhe Maqedonisë së Veriut”. Sipas ministres së Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, bashkëpunimi me ShBA-në në këtë drejtim është shumë i rëndësishëm, sepse mbështesin vendin tonë në përmirësimin e financave publike.
“Sot jemi mbledhur për të përkujtuar dhe nxjerrë në pah një nga partneritetet më të rëndësishme dhe të qëndrueshme ndërkombëtare që mbështesin vendin tonë në përmirësimin e financave publike – bashkëpunimin midis Ministrisë së Financave dhe Thesarit të ShBA-së, përmes Zyrës së tyre të Ndihmës Teknike. Ky partneritet nuk është vetëm mbështetje, por një proces afatgjatë i forcimit të institucioneve, rritjes së ekspertizës dhe krijimit të sistemeve moderne që do të sigurojnë financa publike të parashikueshme, të përgjegjshme dhe transparente.”, - deklaroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska.
Zëvendëskryeministri Dimovski theksoi se asistenca teknike përmes Thesarit të ShBA-së është thelbësore për modernizimin e sistemit tonë të menaxhimit të financave publike dhe mundëson efikasitet më të mirë.
“ShBA është partneri ynë i besueshëm dhe strategjik. Ato gjatë dekadave të kaluara kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e vendit tonë që nga rritja dhe forcimi i institucioneve tona, përmes proceseve të demokratizimit, sundimi i së drejtës e deri tek reformat ekonomike. Këto nuk janë vetëm procese teknike dhe administrative, por reforma që ndikojnë në besimin e qytetarëve, besimin e investitorëve dhe aftësinë tonë për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme. Për të arritur qëllimet tona kombëtare, nevojiten institucione të forta, politika të qarta dhe partneritete strategjike.”, - theksoi zëvendëskryeministri i RMV-së, Ljupço Dimovski.
Ambasadori i ShBA-së, Angela Ageler, theksoi se ky program është i dyti më i madh i këtij lloji i Departamentit të Thesarit të ShBA-së në nivel global dhe se është i përqendruar në pesë fusha kryesore, përkatësisht menaxhimin e financave publike, financimin e borxhit publik dhe infrastrukturën, shërbimet bankare dhe financiare, llogaridhënien buxhetore dhe luftën kundër krimit ekonomik.
“Ne po ndërtojmë institucione më të forta, po krijojmë menaxhim fiskal më të zgjuar dhe po krijojmë rregulla më të qarta dhe më të drejta që ofrojnë siguri për bizneset dhe investitorët për të zgjeruar kapacitetet e tyre. Reformat do të kontribuojnë në diversifikimin e burimeve të financimit, zhvillimin e tregjeve të kapitalit dhe uljen e varësisë nga huamarrja e jashtme. Çdo aktivitet ka një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e bizneseve dhe qytetarëve në Maqedoninë e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara.”, - theksoi ambasadorja e ShBA-së në RMV, Angela Ageler.
Aktivitetet u kryen në sektorët e thesarit, buxhetit dhe fondeve, sistemit financiar dhe taksave dhe doganave. Qëllimi është përmirësimi i strukturës së buxhetit me transparencë më të madhe, forcimi i mbikëqyrjes mbi institucionet financiare jobankare, forcimi i menaxhimit të borxhit publik dhe përmirësimi i tregjeve të letrave me vlerë dhe kapitalit të Qeverisë.
FITIM KRYEZIU
