Maqedoni

Rezoluta kundër migrantëve, VMRO-DPMNE dorëzon dokumentin në Kuvend

15.12.2025 15:33

Pushteti dhe opozita janë me rezoluta të posaçme, të cilat vërtetojnë mos strehimin e migrantëve në vend...

Pushteti dhe opozita janë me rezoluta të posaçme, të cilat vërtetojnë mos strehimin e migrantëve në vend. VMRO-DPMNE, VLEN dhe “E di” dorëzuan rezolutën në Kuvend. Me dokumentin nëntë pikësh duan t’i vënë fund çështjes, sipas tyre të stisur, të LSDM-së për migrantët.  
 
“Vërtetohet se as që është kërkuar, dakorduar e as që do të lejohet vendosja e kampeve për migrantë, qendra pranimi apo forma afatgjate për strehimin e migrantëve nëpër komunat e vendit dhe se një aktivitet i tillë nuk do të jetë pjesë e politikave të Qeverisë. Duam të theksojmë se me këtë rezolutë, vërtetojmë se Qeveria dhe Kuvendi asnjëherë nuk do të lejojnë që të bisedohet për migrantë.”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
 
LSDM: Ekziston marrëveshje “Para për migrantët”
 
Ndërkohë socialdemokratët presin nga VMRO-ja ta mbështesin rezolutën që ata paraprakisht e kanë ofruar, pasi vetëm në këtë formë mund t’u jepej fund migrantëve në Maqedoni. Kundër rezoluta, sipas LSDM-së, konfirmon ekzistencën e marrëveshjes me Britaninë e Madhe, e cila parashikon para për migrantët.
 
“Me kundër rezolutën VMRO-DPMNE ka konfirmuar atë që LSDM po e flet me ditë të tëra se ekziston marrëveshje “migrantë për para”. Shteti është në gjendje të rënduar financiare, 1 miliard euro. Kasaforta po mbyllet para kohe, vonojnë pagesat e lehonave, ndihmës sociale, TVSh-së, nuk ka para për paga dhe pensione.”, - theksoi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
 
Përderisa partitë janë në mbrojtje të propozimeve të tyre, vetëm rezoluta e VMRO-DPMNE-së pritet që të vihet në rend dite të martën.
 
MERAL ISMAILI