Paralajmërimet e rreme për bomba, protesta para SPB-së, Tetovë
Nxënësit e gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë...

Nxënësit e gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë, së bashku me profesorët, stafin teknik të shkollës, kanë protestuar, para SPB-së së Tetovës, për të shprehur revoltën e tyre kundër, siç thonë nxënësit, maltretimit që iu bëhet atyre me paralajmërimet e rrejshme për bomba.
“Si rrjedhojë e dukurisë me paraqitjet e bombave, dukuri e cila ka ndodhur tetë herë me radhë në shkollën tonë dhe që paraqet një indikator të rënies së mbarëvajtjes së mësimit, e me këtë barra bie kryesisht mbi nxënësit, andaj kërkojmë nga organet kompetente të marrin masa të menjëhershme dhe serioze për mbarëvajtje afatgjatë të mësimit dhe jo për përsëritjen e këtyre dukurive në të ardhmen.”, - tha një nxënës.
“Protestojmë për alarmet e bombave që bëhen në shkollën tonë, vërtetë na kanë lodhur, është e tepër dhe po eskalon çdo gjë, jemi të lodhur nga kjo situatë.”, - tha një nxënës tjetër.
“Sot kemi ardhur për të protestuar para policisë për alarmet me bomba, se na kanë lodhur më çdo ditë hyn e dil në shkollë, nuk mund të mbajmë mësim.”, - u shpreh një nxënës.
Ndërkohë, drejtori i shkollës thotë se pas kontrollit të objektit policia nuk jep leje qoftë edhe me gojë për t’i kthyer nxënësit në shkollë dhe sipas Kamberit, ai nuk mund të marrë përgjegjësi për mbi 1.400 nxënës.
“Kjo më nuk është bojkot mësimi, por revoltë e jashtëzakonshme e nxënësve prindërve arsimtarëve dhe imja personalisht. Kjo më është e padurueshme dhe e patolerueshme. Nuk ka asnjë përgjigje nga MPB, SPB - Tetovë nuk është se jep ndonjë përgjegjësi apo llogari, megjithatë njerëzit e antiterrorit që duhet të vijnë për kontroll nuk vijnë. Vazhdimisht presim dhe na lënë përgjegjësinë neve pasi kryejnë kontrollin dhe përgjigjja e vetme që na kthejnë është e keni ju përgjegjësinë të vendosni se a do t’i lejoni nxënësit brenda apo jo.”, - theksoi drejtori i Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” – Tetovë, Jeton Kamberi.
Përndryshe, edhe pse alarmi i rremë për bombë po ndodh për të tetën herë brenda një muaji, edhe më tej vazhdon shkolla të jetë pa sigurim 24-orësh nga policia, edhe pse kjo gjë është kërkuar disa herë nga organet e shkollës, por deri më tani kërkesat e tyre kanë mbetur në letër, ndërsa nxënësit nga kjo situatë vazhdojnë të humbin orë mësimore, si pasojë e mosveprimit në kohë nga ana institucionale. (Visar Sadiku, TVM2)
