Shqipëri, përplasja me opozitën për reformat dhe Avokatin e Popullit

15.12.2025 16:28

BE kërkon bashkëpunim...

“Ndërpresim çdo negociatë me PS-në.”, - u shpreh Sali Berisha.

“Shantazhe me histori komisionesh apo ndaj Partisë Socialiste nuk ka.”, - u përgjigj  Taulant Balla.

Kështu iu përgjigj Taulant Balla paralajmërimit të PD-së se do të bojkotojë punën në 2 nga reformat më të rëndësishme, asaj zgjedhore e territoriale, nxitur nga përplasja dhe mosdakordësia për Avokatin e Popullit.

“Me historinë që ne ikim, ne s’vijmë, ne s’votojmë, ata të shohin punën e vet, ne do shohim punën tonë. Në fillimin e sesionit të ri, t’i rikthehen punës. Në rast se nuk do ta bëjnë një gjë të tillë, po e them sot: Ata e prishin dakordësinë për të mos marrë pjesë në komisione, ne e prishim dakordësinë për të ndryshuar shumicën në të dy komisionet, në rast se ata mendojnë që mund të marrin peng komisionet, për shkak se komisionet janë bipartizane.”, - deklaroi kreu i Grupit - PS, Taulant Balla.

BE kërkon bashkëpunim dhe sinjali i parë se reforma të tilla nuk mund të shkojnë përpara pa bashkëpunim me opozitën, u dha me anulimin e një tryeze të organizuar nga Komiteti i Helsinkit për Reformën Zgjedhore, ku bashkëkryetari i PD-së, Oerd Bylykbashi mungoi. Në limite palët kishin edhe ligjin e Financimeve të Partive Politike, por Brukseli u ka lënë edhe pak kohë.

“Komisioni evropian na ka thënë se për këtë kushtëzim (financimin e partive) mund të marrim kohë deri në fund të janarit apo shkurt.”, - theksoi kreu i Grupit – PS, Taulant Balla.

Për Avokatin e Popullit që nxiti revoltën e PD-së, Balla thotë se mazhoranca nuk mban mbi supe asnjë mëkat. (Luljeta Ndoka, TVM2)