Maqedoni
Raporti për zgjedhjet lokale 2025, Civil: Zgjedhje të qeta, me mangësi sistematike
15.12.2025 17:05
Raporti për Zgjedhjet lokale 2025 në RMV i publikuar nga OJQ Civil...

Raporti për Zgjedhjet lokale 2025 në RMV i publikuar nga OJQ Civil konstaton një proces të qetë zgjedhor, por me mangësi sistematike që vazhdojnë prej një kohe të gjatë. Sipas tyre, këto konstatime po përsëriten në të gjitha ciklet zgjedhore, prandaj në këto raste më nuk mund të flitet për probleme apo gabime të rastësishme në zbatimin e procesit zgjedhor.
Dobësitë institucionale që i kemi vërejtur mund të mundësojnë manipulim nacional, dezinformim dhe ndërhyrje, dhe ndikim i huaj hibrid. Ndër problemet kryesore të konstatuara është lista zgjedhore.
“Së pari kemi një numër të madh raportesh që kanë të bëjnë me dobësitë e listës zgjedhore. Të paktën dy situata të përsëritura shpesh ishin persona të vdekur në listën zgjedhore, por kishte edhe votues që mungonin në listën zgjedhore; mangësi teknike me identifikimin biometrik; pati edhe shkelje të fshehtësisë së votimit; punë jokonsistente dhe joprofesionale nga një pjesë e këshillave zgjedhorë, si dhe pengesa dhe kërcënime ndaj vëzhguesve dhe mediave.”, - deklaroi Xhabir Deralla nga OJQ Civil.
Derrala, duke i përmendur disa nga rekomandimet që ka nënvizuar raporti, tha se demokracia mund të mbijetojë vetëm atëherë kur në mënyrë aktive mbrohet.
“Është e nevojshme reformë serioze dhe gjithëpërfshirëse e Kodit Zgjedhor, gjegjësisht rregullativa zgjedhore. Përfaqësues profesionalë dhe të përgjegjshëm në administratën zgjedhore, profesionalizimi dhe imponimi i përgjegjësisë, përkatësisht marrja e përgjegjësisë, janë imperativ për të pasur zgjedhje më cilësore. Një listë zgjedhore kredibile, seriozisht e verifikuar dhe e pastruar, si dhe zbatimi efektiv i të gjitha rregullave zgjedhore, që do të thotë respektim efektiv i ligjit, përfshirë edhe heshtjen zgjedhore. Mbrojtje e plotë e vëzhguesve qytetarë, si dhe e mediave gjatë procesit zgjedhor dhe detyrimi ligjor për qasje në vendvotime duhet të respektohen; përndryshe bëhet fjalë për diskriminim sistematik.”, - theksoi Xhabir Deralla nga OJQ Civil.
Në këtë raport janë monitoruar institucionet, mediat, qasja në vendvotime, presionet, dezinformatat, ndërsa u zbatua edhe monitoring në periudhën paszgjedhore. Civil në mbarë territorin ka pasur të akredituar 60 vëzhgues.
FLORIJE KAMBERI
