Botë
Tramp: Marrëveshja për Ukrainën është afër
16.12.2025 12:12
Zyrtarët amerikanë dhe ata ukrainas kanë thënë se kanë arritur përparim të konsiderueshëm në ditën e dytë të bisedimeve...

Zyrtarët amerikanë dhe ata ukrainas kanë thënë se kanë arritur përparim të konsiderueshëm në ditën e dytë të bisedimeve, me qëllim të përfundimit të luftës së nisur nga Rusia në tokën ukrainase, teksa Uashingtoni raportohet t’i ketë ofruar Kievit garanci të sigurisë të modelit të Artikullit 5 të NATO-s.
Ndonëse ende ka pikëpyetje për çështje me rëndësi, përfshirë fatin e territorit që Kievi vazhdon ta kontrollojë në rajonin lindor Donjesk, presidenti amerikan Donald Tramp ka thënë se duket që një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit më të madh dhe më vdekjeprurës në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore është më afër se kurrë. Trampi e ka përmendur se ka biseduar së fundmi me presidentin rus, por nuk ka dhënë më shumë hollësi.
Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski ka thënë se bisedimet kanë qenë të vështira, por të dobishme dhe që shefi i tij negociator, Rustem Umerov, ka thënë se ka pasur “përparim real” në Berlin me të dërguarin e posaçëm të Shtëpisë së Bardhë, Stiv Uitkof dhe Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Tramp, që kanë qenë pjesë e delegacionit amerikan.
Zëdhënësi i Putinit, Dmitri Peskov, ka thënë më 15 dhjetor se heqja dorë e Ukrainës nga anëtarësimi në NATO është “gurthemel” për një marrëveshje për paqe në sytë e Kremlinit, dhe që Rusia pret të dëgjojë nga zyrtarët amerikanë se çfarë është diskutuar në Berlin, pasi Moska nuk ka qenë e përfshirë.
