Botë

Të shtënat në universitetin Brown në SHBA/ Autoritetet publikojnë pamjet e të dyshuarit, FBI-ja ofron 50 mijë dollarë për informacion rreth tij

16.12.2025 13:31

Autoritetet në Rhode Island, vijojnë operacionin për identifikimin dhe kapjen e autorit të sulmit me armë zjarri në Universitetin e Brown...

Autoritetet në Rhode Island, vijojnë operacionin për identifikimin dhe kapjen e autorit të sulmit me armë zjarri në Universitetin e Brown, ku  humbën jetën dy studentë dhe u plagosën nëntë të tjerë.
 
Policia dhe agjentët federalë po zhvillojnë kontrolle derë më derë, duke mbledhur pamje nga kamerat e sigurisë që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.
 
Një person i ndaluar fillimisht si i dyshuar u lirua të hënën në mëngjes, pasi hetimet paraprake treguan se nuk kishte prova që e lidhnin me krimin.
 
Më pas, FBI në bashkëpunim me Policinë e Providences publikoi fotografi dhe video të një personi tjetër të dyshuar, duke ofruar një shpërblim prej 50 mijë dollarësh për informacion që çon në identifikimin dhe arrestimin e tij.
 
Autoritetet paralajmëruan se i dyshuari duhet konsideruar i armatosur dhe shumë i rrezikshëm.
 
Pamje të reja, të regjistruara rreth dy orë para të shtënave, tregojnë një person të veshur me rroba të errëta dhe me maskë që mbulon pjesën e poshtme të fytyrës.
 
Imazhet janë kapur pranë rrugëve Hope dhe Benevolent, shumë afër zonës ku ndodhi sulmi.
 
Viktimat e sulmit janë studentët Ella Cook, nga Alabama, e përshkruar nga miqtë si një vajzë e qetë dhe e sjellshme, si dhe Mukhammad Aziz Umurzokov, 18 vjeç, student i vitit të parë.
 
Nëntë persona të tjerë u plagosën dhe u transportuan në Rhode Island Hospital, sipas mediave amerikane, gjashtë prej tyre ndodhen në gjendje kritike.
 
Si masë sigurie, Universiteti Brown anuloi të gjitha aktivitetet mësimore për pjesën e mbetur të semestrit dhe u dha mundësi studentëve të largohen më herët për në shtëpi.
 
Universiteti njoftoi gjithashtu se ka dyfishuar praninë e personelit të sigurisë, duke theksuar se aktualisht nuk ka një kërcënim të drejtpërdrejtë.
 
Prokurori i Përgjithshëm i Rhode Island, Peter F. Neronha, konfirmoi se personi i ndaluar më herët nuk ka lidhje me ngjarjen.
 
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të raportojnë çdo informacion të vlefshëm që mund të ndihmojë në arrestimin e autorit dhe të tregojnë kujdes të shtuar në zonë.