Botë

Tramp: Paqja në Ukrainë më afër se kurrë

16.12.2025 13:56

Presidenti amerikan Tramp thotë se jemi shumë afër përfundimit të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës....

Presidenti amerikan Tramp thotë se jemi shumë afër përfundimit të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës. Ai këtë qëndrim e ka shprehur pas bisedimeve që ka realizuar me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski dhe me liderët e disa vendeve evropiane, përfshirë Gjermaninë, Italinë, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, si dhe me NATO-n. 
 
“Besoj se jemi më afër fundit të luftës se kurrë më parë. Patëm një bisedë të mirë me liderët evropianë për luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Gjërat po ecin në drejtimin e duhur, edhe pse këtë e themi prej kohësh. Kemi mbështetje të madhe nga liderët evropianë dhe ata duan që lufta të përfundojë. Aktualisht, Rusia dëshiron që konflikti të marrë fund. Edhe Ukraina dëshiron që konflikti të përfundojë. Problemi është se ata duan të përfundojë, e pastaj papritur nuk duan. Duhet t’i sjellim në të njëjtin pozicion; mendoj se kjo do të funksionojë.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Zelenski: Jemi lodhur nga bisedimet për territore
 
ShBA-ja ra dakord që t’i ofrojë Kievit garanci sigurie si pjesë e marrëveshjes së paqes, megjithatë Zelenski pranoi se ka ende dallime të konsiderueshme midis palës ukrainase dhe asaj amerikane për ndarjen e territoreve.
 
“Jo të gjitha aspektet janë të thjeshta; ka çështje të ndërlikuara, veçanërisht tema e territoreve. Pa dyshim, të gjithë e ngrenë këtë çështje. Është e rëndësishme që të gjithë të punojmë për t’u siguruar që këto çështje të jenë absolutisht të drejta. Jemi lodhur nga dialogu për territoret. Mendoj se deri tani kemi qëndrime të ndryshme. Por besoj se kolegët amerikanë e dëgjuan qëndrimin tim personal.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski. 
 
Merz: Duhen garanci për sigurinë e Ukrainës
 
Kancelari gjerman Fridrih Merz tha se bisedimet me përfaqësuesit e presidentit amerikan Tramp, Uitkof dhe Kushner, kanë krijuar një mundësi për një proces të vërtetë paqeje. 
 
“Nuk do t’i përsërisim gabimet e Minskut. Përkundrazi, tani duhet të sigurohet armëpushimi përmes garancive të përshtatshme të sigurisë për Ukrainën. Çfarë do të thotë kjo konkretisht, sigurisht që do të duhet të diskutohet mes atyre që individualisht do t’i ofrojnë këto garanci sigurie. ShBA-ja dhe Evropa do të merren vesh së bashku dhe do t’i përcaktojnë detajet.”, - u shpreh kancelari i Gjermanisë, Fridrih Merz.
 
Një grup prej shtatë shteteve të Bashkimit Evropian, liderët e BE-së dhe Zelenski e kanë publikuar një deklaratë të përbashkët duke thënë se mbështesin një ushtri ukrainase prej 800.000 trupash, një forcë multikombëtare të udhëhequr nga evropianët dhe një mekanizëm të udhëhequr nga amerikanët për monitorim dhe verifikim për të zbatuar një armëpushim eventual. Rusia, në anën tjetër, insiston në koncesione territoriale, duke kërkuar gjithë rajonin ukrainas të Donbasit. Nëse nuk ndodh ashtu, Putini ka thënë se rusët do ta marrin atë rajon me forcë. Zëdhënësi i Putinit, Dmitri Peskov, ka thënë se heqja dorë e Ukrainës nga anëtarësimi në NATO është “gurthemel” për një marrëveshje për paqe në sytë e Kremlinit dhe që Rusia pret të dëgjojë nga zyrtarët amerikanë se çfarë është diskutuar në Berlin, pasi Moska nuk ka qenë e përfshirë.
 
GYLTENE SINANI