Maqedoni

Prokuroria Publike, Kocevski dha dorëheqje para se të shkarkohet, Kocevski: Procedura për shkarkim, joligjore

16.12.2025 14:44

Kryeprokurori Ljupço Kocevski dha dorëheqje nga detyra para se Kuvendi ta shkarkojë në seancën e sotme....

Kryeprokurori Ljupço Kocevski dha dorëheqje nga detyra para se Kuvendi ta shkarkojë në seancën e sotme. Kocevski tha se po ik nga detyra me krenari, por edhe i zhgënjyer për mosrepektimin e parimeve mbi të cilat duhet të shtrihet shteti ligjor. Dëshmi për këtë, sipas tij, është se vetëm një orë para se të nisë seanca e shkarkimit, i është dorëzuar ftesë nga Kuvendi për pjesëmarrje në procesin e shkarkimit nga detyra. Kocevski pretendon se detyrën e ka kryer me profesionalizëm, duke shënuar rezultate në prokurori për lëndë të rëndësishme.
 
“Asnjë procedurë nuk është konstatuar se kinse unë kam kryer shkelje të lehtë apo të rëndë disiplinore. Këtë e konfirmoi edhe Këshilli i Prokurorëve Publik, i cili dha mendim negativ për propozimin e Qeverisë, si organ kompetent për mbrojtjen e pavarësisë së Prokurorisë. Prej këtu, vetë procedura për shkarkimin tim nuk mban ligjërisht.”, - deklaroi kryeprokurori, Ljupço Kocevski.
 
Kocevski tha se Prokuroria ka funksionuar në kushte të kufizuara kadrovike dhe materiale. Një pjesë e prokurorive, tha Koceski, punojnë me kapacitet minimal, pa pajisje adekuate teknike dhe shpesh pa kushte bazike për punë. Puna e tyre, tha Koceski, është e pa kompromis. Pikërisht, pasi ka folur publikisht për gjendjen në Prokurori, Kocevski tha se u gjet para shkarkimit, e jo për shkak të joprofesionalizmit të tij.
 
“Sinqerisht dua t’i falënderoj të gjithë prokurorët publikë, të gjithë të punësuarit në Prokurori, si dhe në qendrat hetimore për punën e tyre të përkushtuar, pasi që së bashku me mua, për çdo ditë kanë përballuar dhe po përballojnë akoma të gjitha trysnitë publike, por edhe të tjera. Të gjitha thirrjet e paarsyeshme të cilat ngjasojnë në linçim politik publik, duke punuar në formë joselektive, pa kompromis.”, - u shpreh kryeprokurori, Ljupço Kocevski.
 
Kuvendi, me pretendime të kundërta se ftesa është dërguar ditë më parë. Ndërkaq me të marrë dorëheqjen sot nga Kocevski, vendosën që  shkarkimin ta heqin nga rendi i ditës, duke e konstatuar dorëheqjen. Tani procesi zhvendoset në Këshillin e Prokurorëve Publikë, të cilët deri në fund të javës do të duhet të zgjedhin ushtruesin e detyrës të prokurorit shtetëror deri në zgjedhjen e pasardhësit të Kocevskit. Qeveria në kërkesën e saj deri te Kuvendi për shkarkimin e kryeprokurorit Ljupço Kocevski ka theksuar se kryeprokurori ka bërë shkelje të rënda profesionale, duke mundësuar kalimin e informacioneve për lëndë të rëndësishme hetimore, duke rrënuar imazhin e institucionit.
 
MERAL ISMAILI