Maqedoni
Enti Shtetëror i Revizionit konstatoi shpërdorime në Lotarinë Shtetërore
16.12.2025 15:05
Auditorët zbuluan të dhëna joreale dhe transaksione jologjike në shumën mbi 122 milionë denarë...

Pagesa të parregullta në tregun ditor, 75 persona që nuk vinin në punë, por merrnin paga mujore, shpenzime të paligjshme për udhëtime pune, parregullsi me objekte të marra me qira dhe tenderë të parregulltë, ishin vetëm disa nga konstatimet, të cilat i ka vërejtur Enti Shtetëror i Revizionit në lidhje me funksionimin e Lotarisë Shtetërore gjatë vitit 2024. Auditorët zbuluan të dhëna joreale dhe transaksione jologjike në shumën mbi 122 milionë denarë. Përveç kësaj, tregu ditor nga shitja e lojërave të lotarisë arriti mbi 46 milionë denarë, por nuk u derdh rregullisht në llogaritë e kompanisë. Pagesat e fitimeve të vogla në shumën prej mbi 13 milionë denarë u bënë direkt nga drejtori i Departamentit të Financave, pa procedurën e përcaktuar dhe për shumicën e këtyre pagesave mungon dokumentacioni i vlefshëm.
“Një pjesë e të hollave, në vend që të paguhen në llogari, janë kryer disa transaksione, të cilat, sipas nesh, janë të jashtëligjshme. Përveç kësaj, u identifikuan parregullsi në prokurimin publik, kontratat e punës së përkohshme, ku 75 persona kanë marrë paga, por nuk kanë shkuar në punë, pastaj janë paguar udhëtime zyrtare dhe udhëtimet e biznesit, disa prej të cilave u paguan për aktivitete të parealizuara ose pa dokumentacion mbështetës. Në vitin 2024, kostot e reklamimit dhe promovimit arritën mbi 220 milionë denarë - dhjetë herë më shumë se në vitin 2020.”, - deklaroi revizori shtetëror, Maksim Acevski.
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska Koçovska, në shënimin e vitit jubilar të Entit Shtetëror të Revizionit, theksoi se institucionet pa përjashtim duhet që më të bashkëpunojnë ngushtë, me qëllim që transaksionet e tilla dhe puna e paligjshme të dalë në pah.
“Ligji i ri për revizion shtetëror është në fazën finale dhe ka për qëllim të rrisë aspektin e pavarësimit financiar dhe operacional të Entit Shtetëror të Revizionit, po ashtu të sjellë në fuqi mekanizma më efikas për mbikëqyrjen dhe kontrollimin e raporteve të revizionit. Këto çështje janë përgjigje më e mirë e kërkesave edhe të Bashkimit Evropian dhe plotësimin e standardeve evropiane për revizionin shtetëror dhe janë një hap i rëndësishëm në implementimin e udhëzimeve për harmonizimin e legjislacionit tonë me atë të BE-së.”, - theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska Koçovska.
Gjatë vitit 2024 janë blerë pajisje kompjuterike dhe komunikimi, televizorë për pikat e shitjes së bashkëpunëtorëve të biznesit, sistem mbikëqyrjeje me video, sistem gjurmimi dhe kontrolli të automjeteve me pajisje GPS, terminale lotarie dhe pajisje lotarie, e shumë pajisje tjera në një shumë totale prej 26.620 mijë denarësh, pa dokumentacion përkatës.
FITIM KRYEZIU
