Maqedoni

Drejtoria e Librave Amë, punonjësit bojkotojnë, kërkojnë rritjen e pagave

16.12.2025 15:16

Të punësuarit në Drejtorinë e Librave Amë kanë filluar me një grevë, të cilët kërkojnë rritjen e pagave...

Të punësuarit në Drejtorinë e Librave Amë kanë filluar me një grevë, të cilët kërkojnë rritjen e pagave. Punonjësit e kësaj drejtorie ishin në vendet e tyre të punës, por nuk lëshuan asnjë dokument për qytetarët, sepse marrëveshja kolektive për rritjen e pagave nuk është nënshkruar. Derisa të punësuarit protestonin, drejtori zotohet për zgjidhje të shpejtë, ndërsa qytetarët kthehen pa mbaruar punë. 
 
“Bojkoti në tërësi është duke u plotësuar. Të punësuarit janë solidarizuar me kërkesat që i kemi dhe këtë herë kemi këmbëngulur në kërkesat tona, presim që të thirremi nga autoritetet dhe ta nënshkruajmë marrëveshjen kolektive dhe të kemi rritje të pagave prej 20 për qind. Nga ana tjetër, ministrja e Financave theksoi se shteti ka mjete, ndërsa ne po i apelojmë që ato mjete t’i lëshojnë, sepse kësaj here nuk do të lëshojmë pe dhe unë besoj se nuk do të vijmë në punë, të kemi protestë të përgjithshme të të gjitha institucioneve.”, - deklaroi Marijan Ristevski nga Sindikata.
 
Por, drejtori i këtij institucioni, Faton Fazliu, theksoi se marrëveshja kolektive është dhënë për miratim në Ministrinë e Financave dhe në Qeveri dhe pret që kjo pakënaqësi të tejkalohet. 
 
“Unë si drejtor kam vepruar pas kërkesës së dorëzuar deri tek unë nga ana e Sindikatës dhe kemi hartuar një propozim të marrëveshjes kolektive, që është dorëzuar tek Ministria e Financave dhe në Qeveri dhe është në fazën e rishikimit. Por, unë shpresoj se nga Qeveria do të kemi udhëzime se si të veprojmë dhe të ulemi me palët që t’i tejkalojmë këto pakënaqësi.”, - theksoi drejtori për udhëheqjen e Librave Amë, Faton Fazliu. 
 
Nga Sindikata thonë se tek Drejtoria e Librave Amë janë të punësuar rreth 350 të punësuar, të cilët marrin paga minimale, që sillen rreth 25 mijë denarë, por edhe nevojitet rritje e numrit të të punësuarve. 
 
FITIM KRYEZIU