Dyshimet për vdekjen e foshnjës, kontrolle në Klinikën e Gjinekologjisë
Klinika e Gjinekologjisë do t’i nënshtrohet kontrollit të jashtëzakonshëm...

Klinika e Gjinekologjisë do t’i nënshtrohet kontrollit të jashtëzakonshëm. Urdhri i dhënë nga Ministria e Shëndetësisë ka për qëllim zbardhjen e rastit të vdekjes së foshnjës së porsalindur në repartin intensiv. Inspektorët shëndetësorë do të shohin nëse janë zbatuar protokollet e dhëna, para se të merret raporti nga obduksioni.
“Ministria e Shëndetësisë së bashku me inspektoratin po veprojnë në mënyrë profesionale dhe transparente për të informuar opinionin për rrethanat në këtë rast, si dhe për aktivitetet e ndërmarra. Të presim raportin nga obduksioni, i cili konstaton shkaqet e vdekjes.”, - thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga Klinika e Gjinekologjisë thonë se po ndjekin protokollin e paraparë me ligj, në rast të vdekjes së një foshnje të porsalindur.
“Deri në marrjen e rezultatit të obduksionit, klinika nuk guxon të ndërmarrë kurrfarë veprimesh të tjera. Sa i takon ankesës për sjelljen e mjekes në disa momente gjatë orarit të punës, është vepruar menjëherë dhe e njëjta është zhvendosur në vend të tjetër të punës.”, - thonë nga Klinika e Gjinekologjisë.
Socialdemokratët në reagimin e tyre kërkojnë dorëheqje të drejtoreshës.
“Ankesat e brendshme, deklaratat e mjekëve dhe procesverbalet zyrtare thonë se ka dyshime për gabim mjekësor. Përgjegjësja e repartit intensiv është ankuar me shkrim se ekziston mjekim jo adekuat, i cili ka sjell deri në komplikime dhe vdekjen e foshnjës.”, - - deklaroi Elena Radeska nga LSDM.
VMRO-DPMNE kërkon nga LSDM-ja të mos keqpërdorë rastin me foshnjën e porsalindur për pikë politike. Thonë se pas hetimit do të evidentohet përgjegjësia për fatkeqësinë. Foshnja ka lindur në javën 37- të, më 28 shtator të këtij vitit dhe ka ndërruar jetë pas disa ditëve më 1 tetor. (Meral Ismaili, TVM2)
