Rajon

Komisioni Evropian i gatshëm të heqë pjesërisht masat ndaj Kosovës, Osmani: Kosova pret shqyrtimin e kërkesës për anëtarësim

17.12.2025 13:59

KE ka shprehur gatishmërinë për heqjen e gjysmës së masave

Komisioni Evropian ka shprehur gatishmërinë për heqjen e gjysmës së masave, përkatësisht lirimin e gjysmës së shumës së ndihmës financiare që ishte dedikuar për Kosovën, por kishte mbetur e bllokuar për shkak të masave të vendosura në verë të vitit 2023. Kjo është konfirmuar nga Zyra e Shtypit e Komisionit Evropian, pasi u konstatua se pas zgjedhjeve të fundit lokale në Kosovë ka pasur transferim të qetë dhe të rregullt të qeverisjes lokale në veri të vendit. Pesëdhjetë për qind e asistencës financiare kap shumën mbi 200 milionë eurosh. Heqjen e një pjese të masave e kanë konfirmuar edhe nga Qeveria e Kosovës. Ndërkohë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një prononcim për Euronews ka theksuar se Kosova synon të bëhet pjesë e BE-së, prandaj pret shqyrtimin e aplikimit për anëtarësim.
 
“Praktikisht kemi aplikuar vetëm disa vite më parë, shpresojmë që aplikimi ynë të jetë në tryezën e anëtarëve të Këshillit shumë, shumë shpejt. Në fakt, si identitet, si shtet, si komb, ne kemi kontribuar në vlerat mbi të cilat qëndron Bashkimi Evropian për shekuj me radhë. Dhe kështu besojmë fuqishëm se, ndonëse është një proces shumë kompleks, nëse do të përdorej kriteri i bazuar në meritë, Kosova në fakt do të kishte qenë një nga pararendëset deri tani.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
 
Sipas saj, procesi është kompleks në rastin e Kosovës edhe për shkak të pesë shteteve mosnjohëse të BE-së, e për të cilat tha se "ne vërtet shpresojmë se do ta kuptojnë se Kosova si anëtare e Unionit nuk është vetëm në dobi të popullit të Kosovës, por është një imperativ strategjik, është një imperativ i sigurisë për të gjithë kontinentin”.
 
GYLTENE SINANI