Botë

Lufta në Ukrainë rrezikon sigurinë e BE-së, Von der Lejen: Evropa përballë një momenti kritik

17.12.2025 14:14

Von der Lejen u shpreh se Evropa përballet me një moment kritik për sigurinë e saj...

Derisa po zhvillohen negociata dhe lufta në Ukrainë po hyn në një fazë vendimtare, Evropa përballet me një moment kritik për sigurinë e saj, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen. Mesazhi nga Brukseli është i qartë: pa veprim të shpejtë dhe përgjegjësi të plotë në mbrojtje, rreziku mund të zgjerohet përtej kufijve të Ukrainës. Ajo shtoi se mbështetja për Kievin shihet si vijë mbrojtëse për vetë Evropën. Von der Lejen theksoi se nëse Ukraina dobësohet, pasojat do të ndihen në të gjithë Evropën. 
 
“Evropa duhet të marrë përgjegjësi për sigurinë evropiane. Kjo nuk është më një zgjedhje. Është një domosdoshmëri. Ne i njohim kërcënimet me të cilat përballemi dhe do t’i përballojmë ato. Duhet të jemi të përgatitur, të zhvillojmë dhe të vendosim kapacitete të reja për të përballuar një luftë moderne hibride. Edhe këtu bëjmë hapa të mëdhenj. Pas dekadash investimi, futemi në një fazë të re. Nuk ka akt më të rëndësishëm të sigurisë evropiane sesa mbështetja e Ukrainës.”, - deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen.
 
Lukashenko: Ukraina do të zhduket nga harta
 
Pavarësisht paralajmërimeve të frikshme të BE-së, presidenti i Bejllorusisë, Aleksandër Lukashenko, aleati më i fuqishëm i Rusisë, u shpreh se Putini dhe Zelenski janë të hapur për paqe, por nëse lufta vazhdon, Rusia është gati ta fshijë Ukrainën nga harta.
 
"Putini dëshiron paqe. Nuk do t'i përmend arsyet, ju i dini mirë. Ato janë të brendshme dhe të jashtme. Zelenski dëshiron të njëjtën gjë. Por, pikëpamjet e tyre se si duhet të përfundojë lufta janë të ndryshme. A ka të drejtë Trampi? Ai thotë se duhet të shohim realitetin. Duhet të shohim rezultatet e kësaj lufte deri më sot dhe të nisemi nga këto realitete. Nëse Ukraina beson se mund ta mposhtë Rusinë dhe është gati të zhvillojë luftë, atëherë le të luftojë. Por, nga pikëpamja ime, mendoj se Trampi është i mendimit se nëse vazhdojmë të luftojmë kështu, Ukraina do të zhduket krejtësisht nga harta.”, - deklaroi presidenti bjellorus, Aleksandërr Lukashenko.
 
Plani i paqes për Ukrainën do t'i paraqitet së shpejti Kremlinit. Zelenski tha se propozimet e dakorduara me ShBA-në mund të finalizohen në ditët e ardhshme, pas së cilës negociatorët ukrainas dhe amerikanë pritet të takohen në Majami. 
 
"Rusia është një agresore dhe nuk mund ta dimë saktësisht se cilat garanci mund t’i shkelin në të ardhmen. Kjo është arsyeja pse duam një gamë të gjerë garancish. Të dimë se si partnerët, si një koalicion i përgatitur, do të reagojnë në rast të një agresioni të ripërtërirë.", - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Në pritje të planit të paqes, ministri i Jashtëm rus, Lavrov, tha se ShBA-ja i kishte premtuar Rusisë se Ukraina do të hiqte dorë nga një pjesë e territorit si pjesë e marrëveshjes së paqes. Në të njëjtën kohë, udhëheqësit evropianë dhe Zelenski formuan një Komision për të vlerësuar dëmet e luftës në Ukrainë, ndërsa sulmet vazhdojnë në front.
 
FARIJE DAUTI BAKIU