Botë

Masakra në Hanukë në Sidnej, sulmuesi akuzohet për 59 vepra, përfshirë vrasjen

17.12.2025 14:26

Australia në zi. Mbahen varrimet e para të viktimave të sulmit masiv gjatë festës së Hanukës në plazhin Bondi në Sidnej....

Australia në zi. Mbahen varrimet e para të viktimave të sulmit masiv gjatë festës së Hanukës në plazhin Bondi në Sidnej. Organizatori i ngjarjes hebreje pranë detit është njëri nga 15 të vrarët. Të afërmit, të mbushur me dhimbje, hidhërim dhe zemërim, i japin lamtumirën e fundit.
 
“Pas asaj që ndodhi, më vjen më së shumti keq që nuk mund ta tregoja më shpesh se sa e deshëm, sa e dua dhe sa e vlerësuam gjithçka që bëri, dhe sa jemi krenarë për të. Uroj që ta kishte ditur këtë.”, - tha një i afërm i rabinit Eli Schlanger Yehoram Ulman.
 
Disa orë pas varrimit të viktimave, policia njoftoi se sulmuesi 24-vjeçar, i cili kreu masakrën së bashku me të atin që u vra, është zgjuar nga koma dhe është akuzuar për 59 vepra, përfshirë vrasje dhe terrorizëm. Megjithatë, akuza kundër tij do të ngrihet kur të jetë mjaftueshëm i vetëdijshëm për të kuptuar situatën.
 
“Po presim që gjendja e tij shëndetësore të jetë e përshtatshme për këtë. Është e rëndësishme të sigurohemi që ai të kuptojë saktësisht çfarë ka ndodhur. Prioriteti i policisë është një ndjekje e suksesshme dhe drejtësi për viktimat.  Këtë nuk mund ta ndalojë asgjë.”, - theksoi komisionari i Policisë së Nju South Uales, Mal Lanjon.
 
Autoritetet premtojnë se do të bëjnë gjithçka të mundur për të ndaluar antisemitizmin në vend. Ata njoftuan ashpërsim të ligjit për armët dhe kufizim të protestave.
 
“Duhet të nxjerrim mësim dhe të ndërmarrim masa më të forta, ndryshime ligjore për të zhdukur antisemitizmin nga shoqëria jonë. Të zhdukim gjithashtu ideologjinë e ligë të asaj që, sipas hetuesve, ishte një sulm i frymëzuar nga grupe kriminale.”, - deklaroi kryeministri i Australisë, Antoni Albanese.
 
“Qeveria do ta thërrasë Parlamentin e Nju South Uales për çështje të ligjit të armëve të zjarrit dhe gjithashtu do të shqyrtojmë reforma, kur ka një etiketë për terrorizëm në shtet, komisionari i policisë mund të mos lejojë kërkesa për protesta që mund të tensionojnë më tej situatën në shtet.”, - u shpreh kryeministri i Nju South Uales, Kris Mins.
 
Presidenti Tramp, i cili ishte nikoqir i festës së Hanukës në Shtëpinë e Bardhë, I nderoi viktimat dhe bëri thirrje për një luftë të bashkuar kundër terrorizmit. Izraeli kërkon që qeveritë perëndimore të ndërmarrin më shumë masa kundër antisemitizmit dhe të dëgjojnë paralajmërimet nga Tel Avivi. Të shtënat masive në Australi janë të rralla, por vendi ka përjetuar një seri sulmesh antisemitike ndaj sinagogave, ndërtesave dhe makinave që nga fillimi i luftës izraelite në Gazë.
 
FARIJE DAUTI BAKIU