Maqedoni
LSDM, u zgjodh udhëheqësia e re
17.12.2025 14:58
Bordi Qendror i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë zgjodhi mbrëmë pjesën më të madhe të udhëheqjes së re të lartë të partisë....

Bordi Qendror i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë zgjodhi mbrëmë pjesën më të madhe të udhëheqjes së re të lartë të partisë. Sipas vendimeve të reja, LSDM do të ketë dy nënkryetarë, në vend të katër sa kishte më parë. Me propozim të kryetarit Venko Filipçe, për nënkryetarë u zgjodhën ish-ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska, si dhe Aleksandar Trajanovski, ish-kandidat për kryetar të Komunës së Aerodromit. Aleksandar Dimitrieviq mbetet sekretar i përgjithshëm i partisë, ndërsa Ljupço Farmakovski vazhdon detyrën e sekretarit organizativ. Ndryshime u regjistruan edhe në përbërjen e Bordit Ekzekutiv. Ekipi i ri është një bashkim i të rinjve dhe të përvojës. Sinergjia e këtij kombinimi, mes të rinjve dhe atyre me përvojë, në ekipin e ri do të japë rezultate në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, konsiderojnë nga LSDM.
“Ky është një ekip që hyn në një betejë të guximshme dhe shumë të vendosur kundër kësaj qeverie antipopullore, kriminale dhe të korruptuar të VMRO-DPMNE-së, partisë "E di" dhe VLEN-it. Dhe nuk jemi vetëm. U diskutuan shumë aspekte, po e zgjerojmë platformën tonë dhe po ftojmë shumë organizata qytetare, individë të pavarur dhe intelektualë. Kemi formuar edhe Këshillin e partisë, i cili do të ketë rol në tërheqjen e njerëzve me mendim të lirë që i ndajnë politikat tona me vlerë, sepse fronti ynë që po e shpallim sonte do të rritet gradualisht dhe me siguri.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
VMRO-DPMNE: Udhëheqësia e re me kuadro të vjetra
Sipas VMRO-DPMNE-së, udhëheqësia e re e LSDM-së janë kuadro të vjetra të caktuara nga ish-kryetari Zoran Zaev, i cili pas vetes bart skandale dhe dështim në karrierën e deritanishme politike.
“LSDM-ja mbrëmë e konfirmoi konstatimin tonë se po vazhdojnë të fundosen gjithnjë e më shumë. Në vend të një kuadri të ri dhe të freskët, Filipçe i riktheu fytyrat e vjetra të Zoran Zaevit. Në zgjedhjet e ardhshme, tavani i tyre është 100 mijë vota. Ata prezantuan një “Forcë të re”, por në të vërtetë bëhet fjalë për fytyrat e vjetra të Zoran Zaevit, të cilët së bashku me Filipçen e privatizuan për interesat e tyre dhe e shkatërruan LSDM-në.”, - theksoi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
Kujtojmë se më 2 dhjetor, e gjithë udhëheqja e LSDM-së dha dorëheqje, një veprim që partia e cilësoi si hap të përgjegjshëm dhe moral, me qëllim hapjen e rrugës për rifreskim të strukturave, forcim të personelit dhe mobilizim të brendshëm me energji të re.
FLORIJE KAMBERI
