Dhuna ndaj grave, “Mos heshtni, paraqitni dhunën”

17.12.2025 15:10

Një në katër gra në Maqedoni ndihet e pasigurt...

Një në katër gra në Maqedoni ndihet e pasigurt  në vendet publike, sipas një raporti të OSBE-së me gjashtëqind gra të anketuara.

Edhe më shqetësues është fakti se tetëdhjetë e nëntë për qind e atyre që kanë qenë dëshmitare të ndonjë lloj dhune nuk e kanë raportuar atë në institucionet kompetente nga frika e stigmës.

“Dy të tretat e të gjitha të anketuarve besonin se kishin qenë ose viktimë ose dëshmitare të dhunës me bazë gjinore në forma të ndryshme. Format më të zakonshme janë dhuna ekonomike, dhuna verbale, dhuna psikologjike dhe dhuna fizike. Ajo që është shqetësuese është se 34 për qind ishin ose viktimë ose dëshmitare të dhunës fizike. Arsyet e mosraportimit janë më shpesh frika, stigma, mosbesimi ndaj institucioneve, në reagimin e shpejtë dhe në kohë të institucioneve, si dhe frika nga përsëritja e dhunës.”, - deklaroi oficerja nacionale  e OSBE-së në Shkup, Zhaneta Popsoska.

Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, theksoi  rëndësinë e mbështetjes sociale të koordinuar.

“Ne duhet të ndërtojmë një sistem për reagim të shpejtë, në mënyrë humane dhe të koordinuar, që asnjë grua të mos mbetet vetëm. Ne jemi duke përgatitur një Strategji të re për Adresimin e Dhunës kundër Grave dhe Dhunës në Familje për 2026–2033, së bashku me një Plan të Veprimit për 2025–2029. Këto dokumente strategjike do të udhëzojnë mbrojtje në kohë dhe efektive për çdo grua.”, - theksoi ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Wahl, theksoi rëndësinë e shndërrimit të hulumtimit në ndikim të qëndrueshëm dhe institucionet duhet të veprojnë me kujdesin e duhur.

Përmes Grupit të Punës për Parandalimin e Dhunës midis të Rinjve, Misioni i OSBE-së në Shkup do të vazhdojë të punojë me palët e interesuara nacionale për të integruar rekomandimet e vërtetuara në zhvillimin e politikave dhe në masat praktike, duke siguruar qëndrueshmëri afatgjatë dhe ndikim të prekshëm. (Vlora Latifi - Topojani, TVM2)