Maqedoni

Digjitalizimi, shërbime për qytetarët përmes mjeteve digjitale

17.12.2025 15:26

Digjitalizimi po zhvillohet gjithnjë e më shumë në vendin tonë...

Digjitalizimi po zhvillohet gjithnjë e më shumë në vendin tonë, ndërsa shërbimet digjitale po bëhen gradualisht të qasshme për qytetarët. Në këtë kontekst, tri organizata të shoqërisë civile nga Kumanova, Manastiri dhe Ohri po zbatojnë aktivitete të orientuara drejt avancimit të digjitalizimit dhe transparencës së shërbimeve publike. Këto organizata punojnë për përmirësimin e shërbimeve publike digjitale, rritjen e transparencës dhe përfshirjen e qytetarëve në proceset e vendimmarrjes.
 
“Tani jemi duke u përfshirë drejtpërdrejt në punën që lidhet me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve, konkretisht me krijimin e një formulari digjital për ankesat e konsumatorëve. Qytetarët kanë mundësi t’i paguajnë shërbimet në mënyrë elektronike, por nuk kanë mundësi të paraqesin ankesë, nëse nuk janë të kënaqur me shërbimin e ofruar nga ndërmarrjet publike komunale.”, - deklaroi Tatjana Tasevska nga Organizata e Konsumatorëve.
 
“Përmes këtij procesi kemi mobilizuar të gjitha palët e interesuara në publik, me theks të veçantë te përfshirja e të rinjve, në procesin e përcaktimit të prioriteteve të OSBE-së, të cilat në praktikë Komuna e Koçanit duhet t’i planifikojë dhe t’i avancojë në kuadër të planifikimit të saj strategjik.”, - theksoi Aleksandar Jovanovski nga Qendra për Inovacione Sociale Blink 42-21.
 
Sipas ministrit për Transformim Digjital është e domosdoshme përditësimi i vazhdueshëm i uebfaqeve të komunave, sepse nëse një faqe interneti nuk përditësohet rregullisht, puna nuk mund të konsiderohet e përfunduar plotësisht dhe procesi i digjitalizimit nuk është i kompletuar.
 
“Nëse para themelimit të Ministrisë për Transformim Digjital vetëm rreth 20 institucione përdornin sistemin e menaxhimit të dokumenteve, sot mbi 40 institucione e shfrytëzojnë sistemin kombëtar, ndërsa dhjetëra komuna të reja janë bashkuar në këtë proces, gjë që përbën një zhvillim të jashtëzakonshëm. Njëkohësisht, platforma e interoperabilitetit po shënon rezultate të dukshme.”, - u shpreh ministri i Tranformimit Digjital, Stefan Andonovski.
 
Këto të dhëna janë dëshmi se ndërlidhja e institucioneve sjell rezultate konkrete. Në këto projekte janë përfshirë edhe mijëra qytetarë, me qëllim krijimin e një administrate lokale më moderne, më efikase dhe më të qasshme për të gjithë.
 
BELINDA KOKA ADEMI