Maqedoni

Rezoluta kundër migrantëve, Kuvendi debaton për propozimin e shumicës

17.12.2025 15:51

Rezoluta e shumicës parlamentare është shpalosur përpara deputetëve për debat....

Rezoluta e shumicës parlamentare është shpalosur përpara deputetëve për debat. Propozuesit, shumica parlamentare sqaruan se rezoluta i jep fund spekulimeve të një pjese të opozitës se në vend do të ngrihen kampe për të strehuar migrantë. Sipas deputetit, Nikolla Micevski, kjo është vetëm një fushatë me dezinformata, gënjeshtra për të mbjellë frikë dhe panik tek qytetarët.
 
“Kjo rezolutë ka rol të qartë parandalues, që dërgon porosinë se çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë, migracionin dhe qetësinë publike, nuk guxojnë të jenë lëndë e gënjeshtrave dhe konstruksioneve politike. Në një shoqëri sikurse e jona, multietnike, përhapja e papërgjegjshme e frikës, mund të ketë pasoja serioze ndaj stabilitetit, tolerancës dhe bashkëjetesës midis qytetarëve.”, - deklaroi deputeti i VMRO – DPMNE-së, Nikolla Micevski. 
 
Deputeti opozitar Halil Snopçe tha se opozita ka qenë e pamundësuar për të shprehur mendimin rreth migrantëve, duka ia shkelur të drejtën demokratike për t’u shprehur.
 
“Duhet të jemi real. Duhet pasur guxim që të dëgjohet e vërteta e palës tjetër, pa marrë parasysh ndoshta është e dhimbshme, megjithatë e keni për obligim ta dëgjoni mendimin e opozitës. Këtë nuk e lejuat në komisionin për sistem politik.”, - u shpreh deputeti i ASh-së, Halil Snopçe.
 
Socialdemokratët mungonin gjatë debatit. Ata kanë përpiluar rezolutë paralele, e cila zyrtarisht nuk thuhet se ka hyrë në procedurë parlamentare.
 
MERAL ISMAILI