LSDM: Firmë me tre punonjës fitoi tenderë 1.2 mln euro
Një kompani me vetëm tre të punësuar...

Një kompani me vetëm tre të punësuar, brenda dy muajve ka fituar tenderë nga Qeveria në vlerë prej 1.2 milionë eurosh, kështu thuhet në “bombën” e re që sot e publikoi Ekipi Antikorrupsion i LSDM-së.
Bëhet fjalë për kompaninë “Sigmoid Group DOOEL Shkup”, e themeluar para dy vitesh. Sipas pretendimeve të LSDM-së, kompania ka fituar tenderë nga Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë dhe nga Shërbimi për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta.
“Si edhe në bombën e parë, sërish bëhet fjalë për pajisje IT. Rastësi, apo jo? Kontrata e parë me Ministrinë e Financave është lidhur më 13.10.2025 dhe ka vlerë rreth 60 mijë euro. Pas dy ditësh, më 15.10.2025, ka një kontratë të re me Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë, në vlerë prej 980 mijë eurosh. Gjashtë javë më vonë, më 01.12.2025, një tjetër tender shtetëror, këtë herë për softuer për ndjekjen e proceseve të punës në SOZR, në vlerë prej rreth 76 mijë eurosh.”, - deklaroi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
Reagim i Qeverisë, pretendimet e opozitës janë shpifje
Reagojnë nga Qeveria, duke thënë se pretendimet e paraqitura janë plotësisht të pabazuara, të pasakta dhe përbëjnë shpifje të rëndë.
“Gjatë procedurës janë paraqitur dy oferta, ndërsa subjekti i përmendur ka pasur ofertën më të favorshme. Procedura është zhvilluar pa asnjë vërejtje dhe nuk është paraqitur asnjë ankesë. Sa i përket prokurimit tjetër publik të përmendur, bëhet fjalë për një softuer realisht të nevojshëm, për një projekt që ua kemi premtuar qytetarëve, me qëllim rritjen e transparencës dhe digjitalizimit të proceseve institucionale.”, theksojnë nga Qeveria.
VMRO-DPMNE: 2 mln euro krime në Lotari nga Qeveria e kaluar
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE bombën e LSDM-së e cilësojnë si fishekzjarr që iu plasi në duar, ndërsa akuzoi ish-qeverinë LSDM-BDI për krime në Lotari.
Sipas partisë në pushtet, Enti Shtetëror i Revizionit, pas revizionit të kryer në Lotari ka konstatuar regjistrime të pajustifikuara për transaksione jologjike në shumë prej afro 2 milionë eurosh.
“Publiku meriton përgjigje: a e kanë lejuar LSDM-ja dhe BDI-ja krimin e parë nga shumë të tillë në Lotari, në vlerë prej 2 milionë eurosh? Në cilat llogari kanë përfunduar këto para? Me çfarë të drejte LSDM-ja e ka fshehur krimin e kuadrove të BDI-së? Dhe pse Prokuroria Publike për kaq kohë nuk ka vepruar, edhe pse ne publikisht kemi kërkuar përgjegjësi edhe për raste të tjera të lidhura me Lotarinë?”, - theksoi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
Nga VMRO-DPMNE theksojnë se për këtë duhet të ketë përgjegjësi. (Ersan Pajaziti, TVM2)
