Maqedoni
Rezoluta kundër migrantëve, Kuvendi miraton rezolutën e shumicës
17.12.2025 17:41
Kuvendi miratoi rezolutën e cila dënon manipulimet e opozitës...

Kuvendi miratoi rezolutën e cila dënon manipulimet e opozitës dhe vërteton politikat kundër migrimit illegal. Deputetët e shumicës, propozues të rezolutës sqaruan se dokumenti i jep fund spekulimeve të një pjese të opozitës se në vend do të ngriten kampe për të strehuar migrantë.
“Kjo rezolutë ka rol të qartë parandalues, që dërgon porosinë se çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë, migracionin dhe qetësinë publike, nuk guxojnë të jenë lëndë e gënjeshtrave dhe konstruksioneve politike. Në një shoqëri sikurse e jona, multietnike, përhapja e papërgjegjshme e frikës, mund të ketë pasoja serioze ndaj stabilitetit, tolerancës dhe bashkëjetesës midis qytetarëve .”, - deklaroi deputeti i VMRO – DPMNE-së, Nikolla Micevski.
“Nuk do të lejoj që çështjet e ndjeshme të keqpërdoren për interesa të ulta partiake dhe klanore. Kjo është politikë dhe qasje e papërgjegjshme e një pjese të opozitës .”, - u shpreh deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku.
Deputetët e opozitës shqiptare thanë se rezoluta është jodemokratike shpie drejt diktaturës dhe heshtjes së opozitës, që ajo të mos e ngre zërin për çështjen në fjalë.
“Si mund ti meret e drejta opozitës për të folur, sepse e para përgjithësohet opozita. Në demokraci përgjegjësia është individuale dhe e emërtuar dhe kjo përbën një kërcënim serioz për demokracinë”, theksoi deputetja e BDI-së Rina Ajdari.
“Ne në fakt hypim në varkën për ta minuar, respektivisht për ta shkatëruar demokracinë, për të pamundësuar mendimin e lirë dhe për të frikësuar gjithsecilin i cili e ka guximin të shpreh mendimin e vet të lirë .”, - deklaroi deputeti i ASh-së, Halil Snopçe.
Procedura parlamentare kaloi në mungesë të socialdemokratëve të cilët vetë alarmuan për strehimin e migrantëve në vend. Ata kanë përpiluar rezolutë paralele, e cila zyrtarisht nuk thuhet se ka hyrë në procedurë parlamentare.
MERAL ISMAILI
