Botë

Rriten tensionet ShBA – Venezuelë, Trampi bllokon anijet e naftës

18.12.2025 13:31

Tensionet diplomatike dhe ushtarake mes ShBA-së dhe Venezuelës...

Tensionet diplomatike dhe ushtarake mes ShBA-së dhe Venezuelës janë rritur ndjeshëm pas vendimit të presidentit Donald Tramp për të urdhëruar “bllokadë totale dhe të plotë” të të gjitha anijeve të naftës së sanksionuara që hyjnë ose dalin nga Venezuela, duke i konsideruar si prona të vjedhura nga ShBA-ja. Venezuela është një nga vendet me rezervat më të mëdha të naftës në botë.
 
“Nuk do të lejojmë askënd të kalojë aty ku nuk duhet të kalojë. Ata morën të drejtat tona mbi energjinë dhe naftën tonë, por ne ia rikthyem. Por, e morën ilegalisht. ShBA-ja kërkon rikthimin e pronave dhe të drejtave mbi naftën.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Venezuela kundër bllokadës, eksportet vazhdojnë
 
Venezuela reagoi me vendosmëri ndaj njoftimit të Trampit, duke siguruar se eksportet e naftës vazhdojnë normalisht. Presidenti i Parlamentit Kombëtar të Venezuelës, Horhe Rodrigez, theksoi se vendi nuk dëshiron një luftë për naftë dhe se pasuritë e Venezuelës i takojnë qytetarëve të saj dhe jo ShBA-së.
 
"Tokat e Venezuelës i përkasin grave dhe burrave venezuelas; nafta e Venezuelës i përket grave dhe burrave venezuelas; ari i Venezuelës i përket grave dhe burrave venezuelas; qielli i Venezuelës i përket grave dhe burrave venezuelas; detet dhe lumenjtë e Venezuelës i përkasin grave dhe burrave venezuelas; historia shëlbuese e Amerikës Latine u përket grave dhe burrave venezuelas, sepse nga kjo gjakderdhje lindi liria e kontinentit amerikan.", - theksoi presidenti i Parlamentit Kombëtar, Horhe Rodrigez.
 
Presidenti venezuelas Nikolas Maduro zhvilloi biseda me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guteres, për të kërkuar shmangien e përshkallëzimit të tensioneve, ndërsa presidentja e Meksikës, Klaudia Sheinbaum, bëri thirrje që OKB-ja të ndërhyjë për të parandaluar gjakderdhjen.
 
“Ne bëjmë thirrje që çdo mosmarrëveshje ndërkombëtare të zgjidhet përmes dialogut dhe paqes, jo ndërhyrjes. I bëjmë thirrje Organizatës së Kombeve të Bashkuara të marrë rolin e saj, i cili deri tani nuk është parë. Ajo duhet të veprojë për të parandaluar çdo derdhje gjaku dhe për të kërkuar gjithmonë zgjidhje paqësore të konflikteve. Ky është pozicioni ynë.”, - u shpreh presidentja e Meksikës, Klaudia Sheinbaum.
 
Trampi e ka shpallur Qeverinë e Maduros organizatë terroriste, duke argumentuar se bllokada do të parandalonte atë që ai e përshkroi si financim për trafikimin e drogës, trafikimin e qenieve njerëzore dhe vjedhjen e aseteve amerikane. Maduro kritikoi aktivitetin ushtarak amerikan në Karaibe dhe sekuestrimin e fundit të një cisterne nafte në pronësi të Venezuelës. Ai akuzoi Uashingtonin se shpik pretekste për të justifikuar përshkallëzimin e presionit ndaj Venezuelës, duke thënë se ShBA-ja synon “të krijojë një Libi, Afganistan ose Irak tjetër”, me qëllim që të marrin pasuritë natyrore të Venezuelës, u shpreh Maduro.
 
FARIJE DAUTI BAKIU