Rajon
Osmani: BE-ja do t’ia heqë Kosovës të gjitha masat
18.12.2025 14:14
Takimet intensive me liderët evropianë të presidentes Vjosa Osmani sollën rezultate konkrete lidhur me heqjen e masave nga ana e BE-së ndaj Kosovës....

Takimet intensive me liderët evropianë të presidentes Vjosa Osmani sollën rezultate konkrete lidhur me heqjen e masave nga ana e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Këtë e bëri të ditur presidentja Osmani, punën e së cilës e lavdëroi edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama.
“Kemi lajme të shkëlqyeshme për Kosovën në fund të Samitit ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Pas konsultimeve intensive me partnerët tanë u bë e ditur se të gjitha masat do t’i hiqen Kosovës, kurse pjesa tjetër në fund të janarit.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Kjo grua ka qenë e jashtëzakonshme sot. I ka zhbllokuar të gjitha fondet e zhbllokuara për kaq kohë dhe lëreni se çka thotë kjo kemi lajme, s’kemi lajme. Ka kjo lajme dhe është merita e saj 100%, bravo i qoftë.”, - theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Faleminderit natyrisht edhe Edit dhe Shqipërisë për përkrahjen. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Lejen ka bërë një punë të shkëlqyeshme, na ka dhënë premtimin në vizitën e saj të fundit dhe sot tha që atë premtim që e kam dhënë e mbaj dhe rrjedhimisht edhe fondet do të zhbllokohen, një pjesë e madhe menjëherë, ndërsa pjesa tjetër në fund të janarit.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
LDK dhe PDK: Heqja e masave nga BE-ja, lajm i mirë
Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se lajmi për heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj shtetit të Kosovës do të ishte i mirë nëse do të materializohet, por Qeveria nën udhëheqjen e Albin Kurtit nuk do të duhej ta sillte Kosovën në një izolim, me ndëshkime të aleatëve të saj.
“Nëse materializohet në afatin kohor që u cek mbrëmë do të ishte lajm i mirë për Kosovën. Fatkeqësia më e madhe është se Kosova viteve të kaluara përfundoi e izoluar, e sanksionuar nga BE-ja. Aty është thelbi i çështjes, aty është thelbi i problemit, është veç kësaj qeverisjeje në vitet e fundit duke e izoluar vendin nga partnerët kryesorë e aleatët historikë të vetë shtetit të Kosovës, me ShBA-në që pati ndëshkime, por edhe nga Bashkimi Evropian.”, - u shpreh Besian Mustafa nga LDK.
Ndërsa kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se fillimi i heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës është një lajm i mirë dhe një vendim i drejtë.
“Qytetarët tanë nuk duhet të ndëshkohen për gabimet e kësaj qeverie. I falënderoj partnerët evropianë për mbajtjen e premtimit. Tani duhet të hapet një kapitull i ri me BE-në, i bazuar në reforma, integrim evropian dhe zhvillim ekonomik. Bashkë me aleatët, Kosova do të ecë përpara!”, ka thënë kreu i PDK-së, Bedri Hamza.
GYLTENE SINANI
