Botë
BE-ja vendos për ndihmën ndaj Ukrainës, vendim për financimin në Samitin e Brukselit
18.12.2025 14:30
Liderët e BE-së u mblodhën në Bruksel për të diskutuar mbështetjen financiare për Ukrainën...

Liderët e BE-së u mblodhën në Bruksel për të diskutuar mbështetjen financiare për Ukrainën, me fokus sigurimin e fondeve për dy vitet e ardhshme. Ata theksuan se samiti nuk do të përfundojë pa një marrëveshje konkrete për nevojat financiare të Ukrainës. Në qendër të diskutimeve është përdorimi i aseteve ruse të ngrira, me disa shtete anëtare që kërkojnë ndarjen e rrezikut financiar mes të gjitha vendeve të BE-së. Zyrtarët evropianë ritheksuan se mbështetja për Ukrainën do të vazhdojë, si në aspektin financiar ashtu edhe politik, përballë agresionit rus.
“Nuk do ta lëmë këtë Këshill pa një vendim përfundimtar për të siguruar nevojat financiare të Ukrainës për vitet 2026 dhe 2027.”, - deklaroi presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta.
“Është mirë që Këshilli Evropian është angazhuar herën e fundit që të mbyllim hendekun financiar të Ukrainës për dy vitet e ardhshme. Po flasim për 137 miliardë euro që janë të nevojshme, sipas vlerësimit tonë dhe atij të FMN-së. Dhe jemi angazhuar të mbulojmë dy të tretat e kësaj shume, 90 miliardë euro.”, - theksoi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen.
Zelenski u bëri thirrje partnerëve evropianë që të rrisin ndihmën për Kievin, duke paralajmëruar se nga Rusia vijnë sinjale të qarta se Kremlini synon vazhdimin e luftës.
“Përsëri kemi dëgjuar nga Moska se përgatiten që viti i ardhshëm të jetë vit lufte dhe këto sinjale nuk janë vetëm për ne. Është thelbësore që partnerët tanë t’i shohin këto sinjale dhe jo vetëm t’i shohin, por edhe të reagojnë, veçanërisht partnerët në ShBA, të cilët shpesh thonë se Rusia dëshiron ta përfundojë luftën.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Ndërkohë presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi se Rusia do të zgjerojë përfitimet e saj në Ukrainë nëse dështojnë negociatat, duke mohuar se përbën kërcënim për Evropën. Megjithatë Kremlini pret një plan paqeje nga Berlini.
“Nëse pala kundërshtare dhe mbështetësit e saj të huaj refuzojnë të përfshihen në bisedime thelbësore, Rusia do të arrijë çlirimin e tokave të saj historike me mjete ushtarake. Ne jemi të gatshëm të zhvillojmë bisedime dhe t’i zgjidhim të gjitha çështjet me mjete paqësore.”, - u shpreh presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara përgatisin sanksione të reja ndaj sektorit energjetik rus, me qëllim rritjen e presionit ndaj Moskës, në rast se Putini refuzon një marrëveshje paqeje me Ukrainën.
FARIJE DAUTI BAKIU
