Maqedoni

Porositë nga Samiti për Ballkanin Perëndimor, Kosta: Zgjerimi vazhdon, RMV-ja t’i bëjë detyrat

18.12.2025 14:59

Në Samitin për Ballkanin Perëndimor është konstatuar mbështetja e fuqishme e BE-së për integrim të rajonit në familjen evropiane....

Në Samitin për Ballkanin Perëndimor është konstatuar mbështetja e fuqishme e BE-së për integrim të rajonit në familjen evropiane. Zgjerimi mbetet thelbësor për objektivat tona të përbashkëta, thotë kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, në letrën e tij, duke numëruar arsyet kryesore.
 
“Së pari, nga një perspektivë gjeopolitike, një Bashkim Evropian i zgjeruar do të thotë një Evropë më e sigurt, më e fortë dhe më paqësore. Së dyti, sepse zgjerimi forcon prosperitetin tonë të përbashkët. Çdo zgjerim i mëparshëm e ka vërtetuar këtë. Së treti, sepse Bashkimi Evropian mbetet një projekt tërheqës dhe i besueshëm.”.
 
Sa i përket vendit tonë, Kosta përkujton autoritetet për obligimet që duhet t’i implementojnë.
 
“Lidhur me Maqedoninë e Veriut, ne i mirëpresim hapat për të rritur lidhshmërinë rajonale dhe shpresojmë për përparim të vërtetë në vitin 2026. Autoritetet e dinë se çfarë duhet të bëjnë.”.
 
Mickoski: Integrim me merita, pa bilateralizim
 
Por, kryeministri Mickoski insiston në konceptin se procesi eurointegrues i vendit është bilateralizuar, ndonëse me reformat po ecet sipas planit, vlerëson ai.
 
“Ka numër të madh të problemeve dypalëshe që paraqesin pengesë për vendet e Ballkanit Perëndimor për t’u bërë anëtare e BE-së. Maqedonia është shembull i këtyre pengesave... Bilateralizimi i procesit të negociatave ka lënë gjurmë të vazhdueshme... Ne punojmë në agjendën e reformave. Ta mbarojmë punën tonë të shtëpisë, ta kompletojmë dosjen tonë dhe ta paraqesim këtu. Më pas u takon vendeve anëtare të BE-së, nëse do të tolerojnë bilateralizim, praktikisht, rrezikim të kredibilitetit të procesit aderues ose do t’i masin kandidatët sipas rezultateve.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Përkujtojmë se gjatë samitit kushtuar Ballkanit Perëndimor, kryeministri bullgar në dorëheqje, Zheljaskov, ripërsëriti qëndrimin permanent të Sofjes, se nuk është pengesë e RMV-së në procesin eurointegrues, por se kushtet dalin nga kompromisi i korrikut të vitit 2022, pas së cilave qëndrojnë të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU