Maqedoni
Rezoluta për çështjen e migrantëve, Filipçe: Të formohet front qytetar për demokraci
18.12.2025 15:28
Socialdemokratët i kundërpërgjigjen rezolutës së pushtetit me formimin e frontit qytetarë për mbrojtjen e demokracisë....

Socialdemokratët i kundërpërgjigjen rezolutës së pushtetit me formimin e frontit qytetarë për mbrojtjen e demokracisë. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, nga Brukseli thotë se është koha për një fornt të tillë duke kërkuar edhe mbështetjen evropiane, pasi ditë më parë Kuvendi miratoi rezolutën e shumicës parlamentare, e cila dënon manipulimet e opozitës dhe vërteton politikat kundër migrimit ilegal. Sipas Filipçes, rezoluta ngulfat fjalën e lirë opozitare. Ai konsideron se Maqedonia duhet të jetë shtet i lirë, demokratik dhe evropian.
“Rezoluta e turpshme e VMRO-së, e Lëvizjes “E di”, e miratuar në Kuvend është goditje e drejtpërdrejtë ndaj demokracisë, lirisë së shprehjes, të menduarit dhe veprimit politik. Kur Parlamenti miraton rezolutë jokushtetuese kundër opozitës, atëherë shteti ndërpret së qeni demokratik dh hyn në autoritarizëm, në regjim. Pushteti dëshiron ta heshtë dhe ndalojë punën e opozitës, të krijojë shtet njëpartiak dhe ta shuajë lirinë e të shprehurit. LSDM s’do ta lejojë këtë.”, - deklaroi kryetar i LSDM-së, Venko Filipçe.
LSDM do të ankohet në kushtetuese
Nënkryetarja e partisë, Jovana Trençevska, paralajmëroi ankimimin e rezolutës në kushtetuese.
“Do të dorëzojmë ankesë në Gjykatën Kushtetuese për rrënimin e rendit kushtetues. Rezoluta tradhtare është në kundërthënie me Kushtetutën në pjesën e të drejtave dhe lirive bazike të qytetarit, lirinë e të shprehurit, që janë të pacenueshme. Dhe kjo e bën jokushtetuese.”, - theksoi nënkryetarja e LSDM-së, Jovana Trençevska.
VMRO: LSDM po shtrembëron rezolutën
Nga VMRO-DPMNE thonë se LSDM qëllimisht po e shtrembëron natyrën e qartë kushtetuese dhe juridike të rezolutës, e cila, sipas tyre, nuk është mekanizëm juridik që kufizon lirinë e të shprehurit politik.
“Rezoluta është një akt politik i Kuvendit, me karakter deklarativ, nëpërmjet të cilit Kuvendi shpreh një qëndrim, vlerëson fenomene me interes publik dhe përcakton qëndrime politike. Ajo nuk është ligj, nuk është akt nënligjor dhe nuk krijon norma përgjithësisht të detyrueshme, as nuk cakton ndalesa, sanksione ose kufizime mbi të drejtat dhe liritë.”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Rezoluta u miratua ditë më parë në mungesë të deputetëve socialdemokratë, por deputetët shqiptarë opozitarë të pranishëm në seancë thanë se rezoluta është jodemokratike, shpie drejt diktaturës dhe heshtjes së opozitës për çështjen në fjalë. Shumica parlamentare konsideroi se me dokumentin nëntë pikësh i jepet fund spekulimeve të një pjese të opozitës duke aluduar në socialdemokratët, se në vend do të ngrihen kampe për të strehuar migrantë.
MERAL ISMAILI
