Maqedoni
Gjorgjievski zgjidhet kryetar i BNjVL-së, Mexhiti dhe Gerasimovski nënkryetarë
18.12.2025 15:37
Gjorgjievski do të vazhdojë të drejtojë Bashkësinë e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale...

Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, do të vazhdojë të drejtojë Bashkësinë e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, ndërsa për nënkryetarë u zgjodhën kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, dhe ai i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski. Gjorgjievski, i cili edhe deri tani drejtonte BNjVL-në tha se në mandatin e ri, mes tjerash do të angazhohet që pushteti lokal të ketë edhe policinë komunale.
“Në mandatin e ri, BNjVL-ja ka potencial të konsiderueshëm njerëzor, me më shumë se gjysmën e kryetarëve të bashkive që kanë shërbyer të paktën një mandat dhe disa prej tyre kanë shumë vite përvojë. Nuk do të lejojmë që politika të kenë ndikim në punën tonë dhe me këmbëngulje do të kërkojmë decentralizim më të theksuar, posaçërisht decentralizimin fiskal. Por, në vitin 2026 do të angazhohemi që të kemi edhe policinë komunale, që do të na ndihmonte shumë që të vendosim rend.”, - deklaroi kryetari i BNjVL-së, Orce Gjorgjievski.
Ai po ashtu përshëndeti partneritetin e vazhdueshëm me Qeverinë dhe kryeministrin Hristijan Mickoski, që rezultoi me një Memorandum Bashkëpunimi të rishikuar dhe zhvillim të dukshëm të infrastrukturës në komuna.
FITIM KRYEZIU
