Maqedoni

Ministria e Punëve të Brendshme, u arrestua ish-drejtori i librave amë, Bujar Dardhishta

18.12.2025 15:56

Në aksionin e MPB-së janë arrestuar disa persona....

Në aksionin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit janë arrestuar disa persona, mes të cilëve edhe Bujar Dardhishta, ish-drejtor i Drejtorisë së Librave Amë, kuadër i BDI-së. Aksioni policor është zhvilluar në Shkup dhe Kumanovë, ndërsa dyshohet për krim financiar dhe ekonomik.
 
"Nën udhëheqjen e prokurorit publik nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë, zyrtarë policie nga Departamenti për parandalimin e krimit të organizuar dhe të krimit të rëndë pranë Byrosë për Siguri Publike – Ministria e Punëve të Brendshme që nga mbrëmë kryen aktivitete në disa lokacione në Shkup dhe Kumanovë, për shkak të ekzistimit të dyshimit të arsyeshëm për krime me natyrë financiare dhe ekonomike.", njoftojnë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
 
Këtë për mediat e konfirmoi edhe ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
 
“MPB-ja gjatë mbrëmjes së djeshme, mëngjesin e sotëm dhe gjatë ditës së sotme, po vepron në aksion të koordinuar, në suaza të së cilës një kohë të gjatë po ndërmerren veprime procesuese, pas orientimeve nga Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Gjatë ditës së sotme do të japim më tepër informacione, që janë në interes të publikut, por po kemi ndërmarrë veprime që janë në drejtim të privimit nga liria të personit që e përmendët dhe do të vazhdojmë të veprojmë në bazë të urdhrave të gjykatësit në procedurë paraprake dhe në koordinim me prokurorinë kompetente.”, - theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
 
Aksioni policor ka vazhduar edhe gjatë ditës së sotme.
 
FLORIJE KAMBERI