Maqedoni

AUV: Janë kryer 262 kontrolle për sigurinë e pakove të Vitit të Ri, janë konstatuar parregullsi minimale

19.12.2025 09:27

AUV ka realizuar 262 kontrolle të jashtëzakonshme inspektuese për verifikimin e sigurisë së pakove të Vitit të Ri për fëmijë...

Në prag të festave të Vitit të Ri, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) ka realizuar 262 kontrolle të jashtëzakonshme inspektuese për verifikimin e sigurisë së pakove të Vitit të Ri për fëmijë. Kontrollet janë kryer në magazina për paketim, si dhe në markete dhe dyqane që tregtojnë këto produkte.
 
Për shkak të mospërputhjes së afateve të përdorimit të shënuara në deklaratat e përbashkëta me afatet individuale të produkteve në pako, si dhe për shkak të deklaratave jo të plota, shërbimet inspektuese të AUV-së kanë nxjerrë katër vendime për tërheqjen nga qarkullimi të pakove të Vitit të Ri. Gjithashtu, dy operatorëve ushqimorë u janë dhënë vendime me urdhër për vendosjen e deklaratave të përbashkëta në pakot.
 
Nga 262 kontrollet e realizuara, nuk janë shqiptuar gjoba financiare dhe nuk është konstatuar apo asgjësuar ushqim i pasigurt.
 
Krahasuar me vitin e kaluar, kur ishin konstatuar parregullsi më të shumta si etiketim i papërshtatshëm, mungesë deklaratash, afat përdorimi vetëm në paketimin e përgjithshëm, si dhe produkte me afat të skaduar ose me veti organoleptike të ndryshuara, këtë vit janë evidentuar vetëm parregullsi minimale.
 
Megjithatë, nga AUV njoftojnë se edhe në periudhën e ardhshme, veçanërisht para dhe pas festave të Vitit të Ri, do të vazhdojnë me kontrolle për monitorimin e sigurisë së kësaj kategorie produktesh.