Botë
Përmbyllet Samiti i BE-së në Bruksel, miratohen 90 miliardë euro ndihmë për Ukrainën
19.12.2025 13:37
Liderët e Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje për t’i dhënë Ukrainës një kredi prej 90 miliardë eurosh...

Liderët e Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje për t’i dhënë Ukrainës një kredi prej 90 miliardë eurosh, pasi nuk arritën pajtim për përdorimin e aseteve ruse të ngrira. Marrëveshja, për të cilën liderët thanë se do t’i plotësojë nevojat ushtarake dhe ekonomike të Ukrainës për dy vitet e ardhshme, u arrit pas dy ditësh bisedimesh në një samit në Bruksel. Kievi do të fillojë shlyerjen e kredisë vetëm pasi Rusia të kompensojë dëmet e luftës.
“Mesazhi që i dërgojmë Rusisë është i qartë kristal. Së pari, nuk i keni arritur objektivat tuaja në Ukrainë. Së dyti, Evropa është me Ukrainën sot, nesër dhe për aq kohë sa do të jetë e nevojshme. Së treti, Rusia duhet të ulet në tryezën e negociatave.”, - deklaroi presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta.
“Të gjithë ndajmë një qëllim të qartë: një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën, ky ishte edhe moti i diskutimit. Prandaj u mblodhëm, me synimin e qartë për të përballuar nevojat urgjente financiare të Ukrainës për dy vitet e ardhshme. Me kënaqësi të madhe mund të them se ia dolëm.”, - theksoi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen.
Plani fillestar parashikonte që huaja të sigurohej nga asetet e ngrira ruse. Megjithatë, shtetet anëtare nuk arritën ta bindnin Belgjikën se do ta mbronin nga çdo hakmarrje e mundshme e Moskës, nëse do të përdoreshin fondet e ruajtura në bankën financiare në Bruksel.
“Asetet e ngrira do të mbeten të tilla dhe në fund do të përdoren për të riparuar dëmet që Rusia ka shkaktuar me luftën e saj të paprovokuar dhe të pajustifikuar kundër Ukrainës. Mendoj se askush në familjen evropiane nuk dëshiron t’i shohë këto para të kthehen në Moskë.”, - u shpreh kryeministri i Belgjikës, Bart de Uever.
Sipas presidentit rus Vlladimir Putin, përpjekjet për konfiskimin e aseteve ruse mund të kenë pasoja të rënda.
“Vjedhja nuk është përkufizim i duhur. Vjedhja bëhet fshehurazi, ndërsa këtu përpiqen ta bëjnë hapur. Kjo është grabitje. Por, pse nuk mund ta kryejnë këtë grabitje? Sepse pasojat për grabitësit mund të jenë shumë të rënda.”, - deklaroi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Sllovakia, Hungaria dhe Çekia, ishin midis vendeve që nga fillimi kishin rezerva ndaj huamarrjes së re të BE-së. Për të shmangur një bllokadë gjatë samitit në Bruksel, këto vende u përjashtuan që në fillim nga çdo përgjegjësi që lidhet me këtë kredi. Ndërkohë presidenti amerikan i bëri thirrje Ukrainës të veprojë shpejt drejt një marrëveshjeje paqeje me Rusinë.
“Po i afrohen diçkaje, por shpresoj që Ukraina të veprojë shpejt. Sa herë që u duhet shumë kohë, Rusia ndryshon mendje. 27 mijë ushtarë u vranë muajin e kaluar.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Në planin diplomatik, përfaqësues të presidentit Tramp do të takohen këtë fundjavë në Majami me një këshilltar të presidentit rus Vladimir Putin për të diskutuar planin e rishikuar të paqes për përfundimin e luftës në Ukrainë. Uitkof dhe Kushner gjatë kësaj jave zhvilluan bisedime në Berlin me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski, si dhe me përfaqësues evropianë.
FARIJE DAUTI BAKIU
