Rajon
Kurti mirëpret vendimin e BE-së për heqjen e masave
19.12.2025 13:54
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mirëpret heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës...

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mirëpret heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës. Ishin të padrejta që në ditën e parë, Kosova nuk ishte shkaktare e eskalimit të situatës, theksoi Kurti.
“Së pari institucionet e Republikës së Kosovës nuk ishin shkaktare të eskalimit të situatës në katër komunat në veri të vendit tonë dhe së dyti deeskalimi i situatës ishte pikërisht meritë e institucioneve të Kosovës. Ndërkohë RKS dhe institucionet e saj u bënë cak i sulmeve terroriste, prej të cilave dy me pasoja të rënda, ai në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, heroi ynë Afrim Bunjaku, dhe tjetri në kanalin Ibër Lepenc në Vragë të Zubin Potokut më 29 nëntor të vitit 2024, që synonte dëmtimin e pariparueshëm të infrastrukturës kritike. Për të dy këto sulme tashmë ka aktakuza të ngritura.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Sipas Kurtit, nëse nuk do të ishte aq e shpejtë ndërhyrja e njësiteve speciale të Kosovës, mëngjesi i 24 shtatorit të vitit 2023 do të zbardhte një realitet krejtësisht tjetër. Sipas tij, çdo kompromis ndaj sundimit të ligjit do të ishte fatal për Republikën Kosovës, ndërsa, siç vlerëson Kurti, situata e qetë, lëvizja e lirshme dhe funksionimi i institucioneve të shtetit në veriun e Kosovës është pikërisht sepse ka triumfuar sundimi i ligjit dhe rendi publik.
GYLTENE SINANI
