Maqedoni

Aksion kundër krimit financiar-ekonomik, 33 persona të dyshuar, prej tyre 11 të arrestuar

19.12.2025 14:30

Në aksionin e fundit policor kundër krimit ekonomik financiar janë arrestuar 11 persona...

Në aksionin e fundit policor kundër krimit ekonomik financiar janë arrestuar 11 persona, ndërsa është hapur hetim ndaj gjithsej 33 të dyshuarve. Me propozim të Prokurorisë, për shtatë persona është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa për gjashtë persona janë caktuar masa për sigurimin e pranisë. Siç njoftojnë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, policia ka realizuar bastisje në disa lokacione në Shkup dhe rrethinë, si dhe në Kumanovë, Negotinë, Veles, Pehçevë, Probishtip dhe Koçan. Sipas Prokurorisë, të gjithë të dyshuarit ngarkohen për shoqërim kriminal, ndërsa një pjesë e tyre edhe për keqpërdorim të procedurave të prokurimit publik, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe pastrim parash. 
 
Dyshohet se gjatë vitit 2023, persona zyrtarë në ESM Distribucioni i Ngrohjes, së bashku me përfaqësues të dy kompanive private, kanë manipuluar një tender publik për furnizim me pajisje SCADA. Me veprimet e tyre, sipas hetimit, është shkaktuar dëm financiar ndaj ESM-së në vlerë mbi 7.6 milionë euro, ndërsa mbi 2 milionë euro dyshohet se janë futur në qarkullim përmes pastrimit të parave në periudhën 2023–2025. 
 
"Gjatë vitit 2023, me qëllim manipulimin e procedurës, sipas një marrëveshjeje paraprake dhe specifikimi teknik të përgatitur për furnizimin me dollap elektrik SCADA – dollap monitorimi me kontrollor GSM për stacion ngrohjeje për nevojat e ESM Distribucioni i Ngrohjes, ShPKNj Shkup, një pjesë e anëtarëve të shoqërimit kriminal, në cilësinë e personave zyrtarë, nuk e kanë kryer detyrën e tyre zyrtare dhe kanë vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe aktet e brendshme. Ata kanë rënë dakord që në shpalljen për prokurim publik të paraqiten dy personat juridikë të dyshuar – një nga Shkupi dhe një nga Kumanova.". 
 
Hetimet për rastin vazhdojnë.
 
FLORIJE KAMBERI