Maqedoni

Zgjedhjet e përsëritura, KShZ-ja mbylli listën e votuesve

19.12.2025 15:29

Shtatë vendvotime në katër komuna kanë më pak se dhjetë votues të regjistruar....

Shtatë vendvotime në katër komuna kanë më pak se dhjetë votues të regjistruar. Të tillë ka dy në Gostivar dhe pesë në Mavrovë dhe Rostushë. Për qytetarët e këtyre zonave, Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka parashikuar votim në vendvotimet më të afërta, për të mos humbur asnjë votë. 
 
“Prej gjithsej 215 vendvotime, në këto katër komuna ku do të zbatohen zgjedhjet e përsëritura, në shtatë vendvotime, edhe atë në zonën e dy komisioneve komunale, janë evidentuar më pak se dhjetë votues të regjistruar.  Qytetarëve që gravitojnë në ato vendvotime do t’u mundësohet të votojnë në vendvotimin më të afërt, në të cilin janë të regjistruar më tepër se dhjetë votues.”, - deklaroi kryetari i KShZ-së, Boris Kondarko. 
 
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka mbyllur sot Listën e Votuesve për zgjedhjet e përsëritura për kryetarë në komunat Gostivar, Mavrovë-Rostushë, Vrapçishtë dhe Qendër Zhupë. Zgjedhjet do të mbahen më 11 janar 2026, menjëherë pas festave të Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve. Në Gostivar janë regjistruar 82.870 votues, në Mavrovë-Rostushë 10.575, në Vrapçishtë 27.279 dhe në Qendër Zhupë 7.562, përfshirë banorët e përhershëm, qytetarët jashtë vendit dhe personat në burg ose paraburgim.
 
ERSAN PAJAZITI